Procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Gjermani ka përfunduar dhe ka nisur numërimi i votave. Rezultatet paraprake sipas exit polls prezantojnë një garë shumë të ngushtë mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, të cilët parashikohet të kenë siguruar përkatësisht nga 25 % të votave. Në vend të tretë renditen “Të Gjelbrit” me 15 %.

 

Rreth 60,4 milionë qytetarë patën të drejtën e votës për të përcaktuar  kandidatët e qarqeve për në parlament si dhe partitë.

 

Është pikërisht vota e dytë për partitë që përcakton se kush do të jetë kancelari I ri. Në bazë të rezultateve përcaktohet niveli i përfaqësimit politik në parlament dhe numri i mandateve për secilën parti.

 

Gjithsej janë 47 parti dhe grupime që konkurrojnë në zgjedhje, shifra më e lartë që pas ribashkimit të Gjermanisë. Pritshmëritë janë që vetëm 6 prej tyre të përfaqësohen në parlament.

 

Sipas sondazheve pritet që për herë të parë që nga viti 1957 të jetë i nevojshëm një koalicion qeverisës i përbërë nga tri parti, apsi asnjëra  prej tyre me gjasë nuk mund të arrijë shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm ose në koalicion dysh.

 

Kësisoj marrëveshjet për koalicion duket se do të marrin kohë, duke zgjatur kështu edhe më shumë detyrën e kancelares Angela Merkel, e cila pas 16 vitesh në këtë post, nuk do të rikandidojë.

 

Në këto zgjedhje është rritur ndjeshëm votimi në distancë për shkak të pandemisë, rreth 40 përqind e votave janë dërguar me postë.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *