Festat janë edhe ekonomi, pasi shumë biznese fokusojnë strategjitë e tyre të shitjes pikërisht në sezone festash, ndërsa konsumatorët rrisin shpenzimet e tyre. Politika e “uljes së çmimeve” ka dëshmuar se është një politikë fiskale që jep rezultat, ndaj ofertat e bizneseve fokusohen më së shumti gjatë kohës së festave. Por pse ndryshon kaq shumë sjellja e konsumatorit gjatë periudhave të tilla? Enejda Sheku, eksperte e marketingut dhe e eventeve, tregon tre faktorë kryesorë.
“Së pari, gjatë muajit dhjetor dhe festave të tjera, faktori emocional luan një rol vendimtar. Të gjithë bëhemi më emocionalë dhe më të gatshëm të shpenzojmë. Së dyti, ekziston një presion social për të bërë dhurata, i cili shtohet nga konkurrenca në treg. Së treti, bizneset ushtrojnë një presion marketingu, duke përdorur oferta joshëse dhe strategji që e shtyjnë konsumatorin drejt blerjeve impulsive. Loja që bëjnë bizneset gjatë kësaj periudhe lidhet me momentin dhe ofertën e fundit. Krijimi i ndjesisë së humbjes së mundësisë përfitimi çon konsumatorin drejt blerjeve të shpejta, impulsive. Është tradicional që fundviti të sjellë një lloj dorëlëshimi të konsumatorëve, dhe bizneset e shfrytëzojnë këtë fenomen për të rritur volumin e shitjeve.“, – shprehet Enejda Sheku gjatë një interviste në Vizion Plus.
Ndërkohë, marketingu digjital po zë një rol gjithnjë e më të madh në rritjen e shitjeve. Sipas ekspertes së marketingut marketingut ka disa fakotr që i japin avantazh marketingut digjital, por gjithsesi marketingu tradicional ka rëndësinë e tij që në Shqipëri operon ende ndjeshëm.
“Ka disa avantazhe që e bëjnë marketingun digjital të shfaqet fuqishëm vitet e fundit në skenën e marketingut dhe shitjeve. Marketingu digjital ka avantazhin kryesor që shkon drejt një audience të targetuar mirë, sipas nevojave të biznesit. Nga ana tjetër, ai sjell edhe shifra konkrete, pasi në kohë reale arrijmë të kuptojmë se si ka funksionuar. Në bizneset e vogla dhe të mesme, një pjesë e mirë e shitjeve të fundvitit ndodhin edhe përmes postimeve në rrjetet sociale. Efekti për të matur rezultatin është më i prekshëm, gjë që e bën marketingun digjital dominues. Buxheti është gjithashtu një element shumë i rëndësishëm, pasi me një buxhet shumë më të vogël mund të prekësh audiencën e synuar. Pa vënë në dyshim rëndësinë e medias tradicionale, e cila e bën komunikimin më masiv, marketingu digjital është më i prekshëm për biznesin. Marketingu tradicional dhe media tradicionale kanë një efekt më të shtrirë në kohë dhe kontribuojnë më tepër në besueshmërinë e markës.”
Si janë pritshmëritë për të ardhmen? Si do të vazhdojnë strategjitë e marketingut të bizneseve: do të jenë të ndërthurura tradicionalja me digjitalen apo do të ketë një hov më të madh të marketingut digjital në rrjetet sociale?
Në Shqipëri jemi ende në fazën ku ekziston një gërshetim i marketingut digjital me atë tradicional dhe kjo do të vazhdojë edhe për disa kohë. Ka një mbizotërim të marketingut digjital për një kategori biznesesh që janë kryesisht SME, por kjo nuk do ta lërë në hije marketingun tradicional dhe komunikimin në evente masive, si komunikimi në televizion apo fushatat outdoor. Fushatat që mbulojnë 360 gradë marketing-komunikim janë gjithmonë më afatgjata në rezultatet që sjellin dhe më produktive, por mbi të gjitha më të qëndrueshme. Lufta më e madhe që bëjmë është të jemi të qëndrueshëm në treg dhe që fitimi të mos jetë sezonal, por të sigurojë që marka të jetë e besueshme vazhdimisht, – Enejda Sheku.
Në fund, periudha e festave është një mundësi e artë për bizneset, por sukses i vërtetë arrihet kur strategjitë e marketingut ndërthuren me qëndrueshmërinë dhe lidhjen e vazhdueshme me konsumatorin.
/vizionplus.tv





