Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu pohoi se do të ketë grupe terreni për identifikimin e fëmijëve që shfrytëzohen ekonomikisht, ndërsa do të bëhet edhe  kallëzimin penal  ndaj prindit ose kujdestarit të fëmijës, kur fëmija kthehet sërish në situatë rruge edhe pasi i është ofruar ndihmë apo alternativë punësimi prindërve.

 

 “Gjatë vitit 2017 nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve janë menaxhuar 1650 fëmijë në situatë risku, nga të cilët, 387 fëmijë u identifikuan të shfrytëzuar ekonomikisht dhe në situatë rruge, ku fëmijët e komunitetit rom janë më të ekspozuarit ndaj këtij fenomeni. Ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë nismën për identifikimin dhe ndihmën e menjëherëshme për fëmijët e shfrytëzuar, për të frenuar punën e fëmijëve”.

 

Ministrja u ndal gjithashtu te progresi i bërë sa i takon përfshirjes sociale dhe shërbimeve për komunitetin rom dhe egjiptian, sipas të dhënave të sistemit online Revalb.

 

“Treguesit sa i takon aksesit në shërbime mjekësore të përballueshëm dhe të barabartë janë në përmirësim. Në vitin 2017, kanë përfituar paketën për kujdesin ndaj nënës dhe foshnjes 2 059 nëna dhe fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian, kundrejt 300 nënave që e përfituan atë në vitin 2015. Por mbetet shumë për të bërë për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale apo fenomenit të parandalimit të martesave të hershme, që afektojnë më së shumti këto komunitete”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *