Shqipëria është futur në fazën finale të përgatitjeve për duelin shumë të rëndësishëm të datës 17 nëntor kundër Moldavisë në transfertë, një prej dy finaleve të fakt të mbetura në dispozicion për të siguruar kualifikimin në Euro 2024.

 

Elseid Hysaj e vlerësoi Moldavinë si një kundërshtar goxha të fortë, sepse po përjeton një moment të mirë dhe për më tepër ka humbur vetëm një ndeshje në eliminatore.

 

 ELSEID HYSAJ – FUTBOLLIST I KOMBËTARES

 

Është një ndeshje e rëndësishme dhe janë në skuadër shumë e fortë për momentin. Ne duhet të shkojmë atje për të mos humbur, sepse edhe një pikë mund të na nevojitet dhe jemi të kualifikuar, por do ishte bukur të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve si Kombëtare. Në qoftë se fitojmë do të jemi të kualifikuar dhe mund të kthehemi me një gëzim të madh në Shqipëri, ndërsa po humbëm do jetë një presion më shumë për ne dhe do të kthehemi në Shqipëri për të luajtur ndeshjen e fundit. Të gjithë ne jemi me një mendim për të shkuar të përgatitur dhe të fitojmë këtë ndeshjen, sepse duhet të kthemi me gëzim dhe ta shijojmë këtë sfidë.

 

Ndërsa portierit Etrit Berisha, që vjen në superformë duke u shpallur lojtari i ndeshjes në fitoren ndaj Napolit, mendon se takimi në Moldavi është krejtësisht ndryshe nga ai i qershorit në Tiranë ku kuqezinjtë fituan 2 me 1. Gardiani i përfaqësues mohoi të ketë eufori në kombëtare, përkundrazi vetëm entuziazëm që duhet shfrytëzuar sa më mirë për të fituar në Moldavi

 

ETRIT BERISHA- FUTBOLLIST I KOMBËTARES

 

Nuk mund të them që ka eufori, por ka entuziazëm. Këtë duhet ta mbajmë dhe më tutje. Kemi qenë në vështirësi më herët, kemi derdhur djersë e mund për të arritur deri këtu. Jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe pas kësaj ndeshje duhet ta menaxhojmë situatën sa më mirë dhe t’i bëjmë gjërat si duhet. Nëse kemi mundësi që të kualifikohemi në Europian, duhet të shkojmë dhe t’i bëjmë gjërat dhe më mirë se ç’i kemi bërë më herët.

 

Sylvinho po stërvitet me grup të plotë lojtarësh në Tiranë, ndërsa nisja për në Moldavi do të jetë mëngjesin e së enjtes, për të zhvilluar pasdite më pas stërvitjen e fundit në stadiumin “Zambru” në Kishinjau, ku do të luhet edhe ndeshja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *