Vetëm përkeqësohet situata në Kakavijë. Asgjë nuk ka ndryshuar në orët e fundit. Radhët e mjeteve dhe të qytetarëve në pritje për të kaluar pikën kufitare drejt Greqisë vetëm zgjatën. Siç edhe duket në këto pamje, vargu i makinave është mbi 20 kilometra.

Të rreshtuar në radhët janë me mijëra qytetarët, fëmije e të moshuar që presin prej orësh të kalojnë përmes doganës së Kakavijës drejt vendit fqinj.

Prej katër ditësh Kakavija është shndërruar në vendin e një krize humanitare, ku njerëzit me gjithë shpërndarjen e ushqimeve dhe ujit të pijshëm nga autoritetet vendore dhe forcat e ushtrisë qëndrojnë në pritje në pikun e të nxehtit veror.

Përveç ndihmës me ushqime edhe ekipe të mjekëve për çdo problematikë shëndetësore, asgjë nuk është zgjidhur për të lehtësuar masat e njëanshme të ndërmarra nga Greqia në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Edhe me shtimin e ekipeve të mjekëve dhe bërjes së tamponit një në 10 veta, situata nuk është lehtësuar por vetëm përkeqësohet, radhë të pafundme dhe mijëra njerëz në pritje.

Një tjetër shkak është edhe vendimi, po i palës greke për të mbyllur pikat doganore të Kakavijës dhe Kapshticës nga ora 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit.

Ministria jonë e Jashtme njofton se është në komunikim të vazhdueshëm, por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Athina zyrtare vazhdon ti qëndrojë urdhrave të saj.

Shkak i kësaj situatë katastrofike, e pa ndodhur më parë në kalimet kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë janë edhe masat e tjera që hyjnë në fuqi të Hënën e 17 Gushtit. Nga kjo datë çdo shtetas që do të hyjë në tokën greke do të karantinoret për shtatë ditë. Për të shmangur këtë detyrim, qytetarët shqiptarë pas pushime ne vendlindje janë dyndur të kthehen në vendin ku jetojnë e punojnë para datës 16. Situata duket se do të vazhdojë të përkeqësohet për aq kohë sa autoritetet doganore greke vazhdojnë të procedojnë me thuajse të njëjtat masa mbrojtëse për identifikimin e të infektuarve dhe karantinimit e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *