Subscribe

Janë jo të pakët deputetët dhe kryebashkiakët, të cilët rezultojnë të kenë shkelur ligjin në Shqipëri dhe jashtë vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar formularët e vetedeklarimit të të zgjedhurve në Parlament dhe në pushtetin vendor, në funksion të zbatimit të ligjit për dekriminalizimin. Mazhoranca dhe opozita shihen se kane një numër te zgjedhurish, të cilët janë dënuar nga Gjykatat shqiptare. Nënkryetari i PD-së Edi Paloka, i dënuar në vitin 2001 për organizim të manifestimeve të paligjshme, si dhe në 2015 për shpifje.
Arben Ristani, rezulton i dënuar me 5 muaj burg dhe me një vit kusht për veprën penale “Dhënie vendimi të padrejtës”, vendim, i cili është shfuqizuar më vonë. Ristani u arrestua me urdhër të Prokurorisë në vitin 1994. Alban Zeneli, i dënuar me 6 muaj burg dhe me 30 mijë lekë gjobë në vitin 1992 dhe 1996. Deputeti i Laçit, Mhill Fufi, rezulton i përfshirë edhe në ngjarjet e 14 shtatorit, duke mos e përcaktuar se për çfarë viti bëhet fjalë. Në formularin e vetëdeklarimit, rezulton se deputeti Tom Doshi është dënuar nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Durrësit në vitin 1990, me një vit burg, për akuzën e sjelljes së padenjë në shoqëri. Ai kujton edhe urdhër ndalimin me firmën e Prokurorit të Përgjithshëm të marsit 2015. Socialisti Pjerin Ndreu është arrestuar në vitin 2004 me akuzën e përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike, por se në 2005 morri pafajësinë. Parid Cara i PS i dënuar me 800 euro gjobë në 2005 nga Gjykata e Ferraras Itali, për shkelje të Kodit Rrugor.
LSI-sti Shkëlqim Selami, rezulton se ka qenë në hetim nga Gjykata e Brindizit pasi dyshohej për një vepër penale të kryer në 2007, por është shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë po në këtë vit. Deputeti i përjashtuar nga PS, Armando Prenga, shkruan në formular se është arrestuar në shtator 2015 pas përleshjes para Komisariatit të Kurbinit dhe për të cilën vijon të jetë në gjykim. Por, shkelje më të rënda janë kryer nga disa kryetarë të bashkive. Kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, sipas të dhënave, rezulton se ka qenë i dënuar me 3 vjet burg, për shkelje të rregullave të qarkullimit. Ai ka vuajtur dënim me 10 muaj burg për kundërshtim i një punonjës policie me vendim të Gjykatës së Skraparit dhe një vit burg me vendim të Gjykatës së Tiranës. Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, shkruan se në prill 2003 ka qenë i dënuar në Itali me 2 vjet burg dhe 200 euro gjobë.
Kryetari i Bashkisë Krujë Artur Bushi, është një ndër zyrtarët që ka pasur probleme me drejtësinë italiane. Ai pranon se është i arrestuar tre herë nga policia italiane në 1996 per arsye qe thote se nuk i kujtohen dhe në vitin 2010, është arrestuar sërish i dyshuar për trafik narkotikësh. Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, një emër shumë i përfolur nga opozita shqiptare, rezulton të jetë dënuar i dënuar nga Gjykata e Kavajës në shtator 2000 me vendim të formës së prere, dënim me gjobë, krim dhe kundravajtje penale. Ai pranon se ka marrë një masë dëbimi në Gjermani, para vitit 2002, porse nuk i kujtohen arsyet. Ndërkohë që është ndaluar në Kavajë në mars 2013 me akuzën goditje për shkak të detyrës.
Kreu i Bashkisë së Kurbinit, Artur Bardhi, nuk shënon asnjë vepër penale, por pranon se ka pasur 3 emra të tjetër të ndryshëm: Gentian Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi. Ai nuk jep arsye se përse ka përdorur këto emra.
Ndërsa kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, shkruan në formular se është gjykuar nga Gjykata e Tiranës nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera. Por, shënon se është shpallur i pafajshëm.
Ndërsa tre politikanët e lartë shqiptarë, që dominojnë skenën politike, Kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, sipas formularit të vetëdeklarimit rezultojnë të paproceduar ose të pahetuar më parë. Kreu i qeverisë pranon se më 27 nëntor 2002 ka mbajtur emrin Edvin Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *