Partia Demokratike i ka bërë thirrje qeverisë për të pajisur stafin mjekësor me mjete mbrojtëse.

 

Në një deklaratë për mediat, selia blu ka propozuar 3 masa urgjente për qeverinë, pasi koha nuk pret.

 

“Koha nuk pret më! Duke e vlerësuar kohën si mjetin më të mirë, kryeministri dhe qeveria e tij duhet të marrin disa masa të  detyrueshme nga ligji. 1.Mbrojtja e personelit mjekësor me pajisje dhe mjete, speciale. 2.Dezinfektim me shpejtësi në nivel kombëtar për rrugët, mjediset publike dhe ndërtesat jopublike. 3.Miratimin pa vonesë të paketës social-ekonomike për shmangien e krizës.”

 

Duke marrë shkas nga ngjarja në Fier, ku mjekë dhe infermierë janë futur në karantinë sepse i kanë shërbyer një gruaje me koronavirus, e cila nuk kishte treguar që ishte kthyer ditët e fundit nga Italia, PD shkruan se i gjithë personeli shëndetësor në vend duhet të pajiset me mjete mbrojtëse.

 

“Pas mjekëve dhe infermierëve të Spitalit të Durrësit dhe Beratit, sot media raporton se edhe mjekë dhe infermierë në Spitalin e Fierit, janë futur në karantinë, për shkak se i kanë shërbyer personave të prekur nga koronavirus pa mjetet e nevojshme mbrojtëse. Po bëhet 1 javë që kur është konfirmuar rasti i parë me koronavirus, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë që të përmbushë kërkesën kryesore për të pajisur me mjetet mbrojtëse të gjithë personelin shëndetësor në vend. Shqipëria ka personel të kufizuar shëndetësor dhe nuk kemi luksin që ata të futen në karantinë. Nëse kjo ndodh masivisht, bie muri mbrojtës mes qytetarëve dhe virusit të rrezikshëm. Mjekët nuk do të jenë në gjendje të trajtojmë qytetarët e sëmurë. Akoma nuk është vonë që qeveria t’i japë fund papërgjegjshmërisë me të cilën ka vepruar deri tani më raport me sistemin shëndetësor. Për ta ruajtur atë nga kolapsi, është emergjente pajisja e stafit mjekësor me mjete mbrojtëse. Kjo nuk është çështje dëshirash. Është detyrim ligjor! Kjo nuk është koha që kryeministri të shfaqë stilin e tij luksoz të jetesës, me dieta ku konsumohen 2 vakte në 8 orë. Janë të paktën 300 mijë shqiptarë që mezi ushqehen 1 herë në ditë dhe me mijëra fëmijë që flenë me barkun bosh për shkak te papërgjegjshmërisë disavjeçare të qeverisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *