Parku natyror Korab-Koritnik, në Kukës, me një sipërfaqe prej 34 mijë e 800 hektarësh vijon të jetë një nga zonat më të preferuara nga turistët.

 

Shifrat tregojnë se deri në tetor numërohen 23 mijë turistë që kanë vizituar bukuritë e zonës dhe që kanë shëtitur shtegun në këmbë.

 

Por, megjithëse shifrat janë optimiste, ministri Klosi, i cili e vizitoi parkun natyror, gjatë vizitës 2 ditore të qeverisë në Kukës, tha se numri i shtuar vizitorëve nuk mjafton.

 

Duke iu rikthyer planit të 365 masave për turizmin e vitit 2019, Klosi theksoi se masa e radhës është krijimi i bujtinave, shtëpive të pritjes dhe krijimi i pikave të informacionit, që do të uhdëheqin guidat në mënyrë më profesionale në zonat e mbrojtura.

 

“Shtegu është i bukur se e ka bërë natyra, shtegu është i bukur dhe interesant sepse nuk është i dëmtuar nga dora e njerëzve, por shtegu nuk mund të jetë ekonomi dhënës nëse nuk do të kemi kombinim perfekt nëpërmjet ekonomizimit të  gjithë shëtitjes në këtë shteg dhe përfitimit që do të kenë banorët e zonës. Në kuadër të politikave të agroturizmit dhe 100 fshatrave ne po zbatojmë ngritjen e disa guest house-ve apo pikave mikpritëse gjatë gjithë shtegut, por kjo nuk mjafton”

 

Për këtë arsye, ai shtoi se qeveria është e angazhuar që të ofrojë politika lehtësuese në ndihmë të atyre që do ti shërbejnë këtij lloj turizmi.

 

“Së bashku me ministrinë e Bujqësisë, për pikat e agroturizmit, që ofrojnë kapacitet akomodues por dhe që kanë kapacitete të tjera për të afruar turistët ne mundësojmë një taksim të ri, që shkon në 5% të tatim fitimit për këto pika të agroturizmit dhe po ashtu 6% TVSH për realizimin e gjithë shërbimeve brenda tyre”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *