Subscribe

VRMO-DPMNE ka triumfuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni të Veriut.

Partia opozitare shënoi fitore të thellë me mbi 43 për qind të votave, të cilat përkthehen në 58 mandate, nga 120 që ka në total parlamenti i shtetit fqinj.

Në daljen e parë pas publikimit të rezultateve, kryetari i kësaj partie Hristjan Mickoski falënderoi votuesit, ndërsa tha se nuk do të ketë vonesë me formimin e qeverisë së re.

Analisti Arben Ratkoceri në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Roland Zili ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve.

Intervista e plotë:

-Si e lexoni ju fitoren e dyfishtë të opozitës në këto zgjedhje parlamentare dhe ato presidenciale?

Ratkoceri: Është pritur kjo fitore e VMRO-DMPNE, është pritur edhe fitorja e zonjës Davkova , por nuk është pritur fitorja kaq e thellë e VMRO-DMPNE, të cilës i mungojnë vetëm dy deputetë për të siguruar shumicën e nevojshme për të formuar vetë qeverinë. Po ashtu edhe rezultati i zonjës Davkova ishte shumë i fuqishëm. Arsyset janë të shumta, mirëpo një nga arsyet kryesore është që kjo parti ka pasur një qëndrim të fortë ndaj kërkesës së Brukselit për futjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë. Po kjo parti ka kundërshtuar gjithashtu ndryshimin e emrit të Maqedonisë me kërkesë të Greqisë dhe ka pasur një qëndrim më konservator.

-A mund ta rrezikojë kjo fitore e të djathtës në Maqëdoninë e Veriut kursin që vendi ka drejt Bashkimit Evropian. Ka pikëpyetje që ngrihen pas kësaj fitoreje, sa serioze janë këto dyshime?

Ratkoceri: Nuk besoj që mund ta rrezikojë, mendoj që mund ta vonojë pak, por nuk besoj se do ta rrezikojë. Maqedonia nuk është ndonjë fuqi e madhe që do të arrijë të kundërshtojë kërkesat e Brukselit zyrtar, duke përfshirë këtu edhe faktorin e rëndësishëm shqiptar i cili deklaron që një nga kërkesat kryesore për koalicionin me VMRO është vazhdimi i rrugës së integrimeve.

-Pas një kohe shumë të gjatë Aliahmeti dhe partia e tij këtë herë do të mbeten në opozitë. Si besohet të ndikojë kjo në rikompozimin e faktorit politik shqiptar atje?

Ratkoceri: Nëse analizojmë zgjedhjet në Maqedoni unë do t’i kisha vlerësuar me dy veçori kryesore. E para humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve është Pendarovski, humbës gjithashtu janë edhe shqiptarët.

VMRO-DPMNE për shkak të rezultatit të thellë që ka korrur, shqiptarët, cilido subjekt politik do t’i bashkangjitet qeverisë, e cila sipas gjasave do të jetë opozita aktuale VLEN do të varet nga mëshira e VMRO-DPMNE për t’ia plotësuar dëshirat politike të partive ose koalicionit shqiptar që do t’i përfaqësojë në qeverinë e ardhshme.

-Pra do të kemi një dobësim të faktorit shqiptar sepse do ketë më pak përfaqësim në qeveri?

Ratkoceri: Jo, VMRO është e fuqishme dhe nuk ia ka nevojën. Zëri i tyre do të dëgjohet më pak, kërkesat e tyre do realizohen nga dëshira e VMRO-DPMNE dhe jo nga ndonjë marrëveshje politike e ndonjë kompromisi të caktuar, siç kanë funksionuar deri tani qeveritë.

-Duke pasur parasysh ngritjen e faktorit nacionalist në Maqedoninë e Veriut, sa jetëgjatë besoni se do të jetë shumica e re që do të krijohet?

Ratkoceri: Do jetë e gjatë sepse duhet pasur parasysh edhe rezultati shumë i dobët i social-demokratëve. Patën rezultatin më të dobët që nga krijimi i kësaj partie në vitet ’90 dhe unë besoj do t’i duhet kohë për tu rikuperuar dhe ta kthejë besimin tek elektorati maqedonas. Kjo qeveri do t’i ketë të garantuara dy mandate në qeverisjen në Maqedoni./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *