Pagat e gushtit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor janë bllokuar nga Thesari i Shtetit, pas vendimeve të dy institucioneve për rritjen e pagës referuese të magjistratëve. KLP dhe KLGJ vendosën që nga 1 gushti paga referuese të rritet në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, ndërsa mbi këtë shumë aplikohet edhe shtesa prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Vendimi erdhi pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi në shkurt 2026 formulën e mëparshme të pagave dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për të miratuar një skemë të re. Afati përfundoi pa miratimin e një formule të re nga Parlamenti, ndërsa KLP dhe KLGJ përcaktuan vetë pagën referuese. Sipas formulës së re, rritja mund të sjellë shtesa të konsiderueshme në pagat e magjistratëve, veçanërisht në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.
Përplasja tashmë është zhvendosur te zbatimi financiar i vendimeve, me Thesarin që ka ndaluar ekzekutimin e pagave të gushtit. Ndërkohë, mazhoranca kishte depozituar në Kuvend, një ditë para skadimit të afatit të vendosur nga Kushtetuesja, një propozim për ndryshimin e formulës, duke parashikuar rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit.
/vizionplus.tv





