Kanadaja do të ndalojë dërgesat e armëve në Izrael, njoftoi dje, të martën, një burim qeveritar, pas një votimi jodetyrues në parlament për këtë çështje.

“Ne jemi në një situatë ku realiteti në terren nuk na lejon më të eksportojmë armë në Izrael”, tha burimi.

Parlamenti kanadez miratoi të hënën një rezolutë jodetyruese në favor të një armëpushimi të menjëhershëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Ajo rezolutë gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të pezullojë miratimet dhe dërgesat e armëve në Izrael.

“Pas datës 7 tetor kemi miratuar vetëm licencat për pajisjet jovdekjeprurëse. Dhe, duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të situatës në terren, ne nuk kemi miratuar asnjë leje që nga 8 janari”, tha Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Jolie, e cila vizitoi Lindjen e Mesme javën e kaluar.

Licencat e shitjes së armëve të miratuara nga Kanadaja pas fillimit të luftës në Gaza ishin ekskluzivisht për eksportet e pajisjeve jo-vdekjeprurëse si pajisjet e komunikimit, shpjegoi burimi qeveritar.

Ndërsa theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka filluar të mbajë një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, të cilat po kryhen si hakmarrje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Sipas radiostacionit Radio-Canada, në vitin 2022 Otava ka eksportuar pajisje ushtarake në Izrael në vlerë prej më shumë se 21 milionë dollarë kanadezë, ndërsa në vitin 2021 vlera e tyre ishte 26 milionë dollarë kanadezë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *