Megjithë paralajmërimet e ndërkombëtarëve, Izraeli nuk i ka ndalur operacionet ushtarake në skajin jugor të rripit të Gazës, Rafah.

8 anëtarë të një familje kanë mbetur të vdekur dhe disa të tjerë të janë plagosur si pasojë e një sulmi ajror këtë të premte. Sulmi ka ndodhur në Khan Younis, ku palestinezëve iu është kërkuar të drejtohen pas ndërhyrjes në Rafah.

Ndërkohë kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk është tërhequr nga qëndrimet e tij edhe pas paralajmërimit të presidentit amerikan Joe Biden se mund të ndalojë furnizimin me armë.

Më një intervistë ai tha se Izraeli mund t’ia dalë edhe vetëm.

“Ne do të bëjmë çfarë kemi për të bërë për të mbrojtur vendin tonë, të ardhmen tonë. Nëse Izraeli duhet të qëndrojë i vetëm, do të qëndrojmë. Por gjithashtu ne e dimë që nuk jemi vetëm sepse kemi shumë njerëz në të gjithë botën që na mbështesin e që e kuptojnë të vërtetën”, tha kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu.

Ai foli edhe për raportet e tij me presidentin amerikan.

“Unë e kam njohur Joe Biden prej një kohe të gjatë, prej më shumë se 40 vitesh. Shpesh kemi patur marrëveshje por edhe mosmarrëveshje dhe kemi mundur ti tejkalojmë ato. Shpresoj që ti tejkalojmë edhe tani”, u shpreh Netanyahu.

Zona e Rafah në jug të gazës ishte e vetmja që i kishte shpëtuar pushtimit, deri para pak ditësh kur Izraeli njoftoi se kishte marrë edhe kontrollin e saj.

Ushtria ka bërë të ditur se po kryen operacione të kontrolluara me qëllim shkatërrimin e Hamasit edhe pse aleatët perëndimorë e kishin vendosur Rafahun si vijën e kuqe që Izraeli nuk duhet ta kalonte.

Deri më tani, sipas agjencisë së kombeve të bashkuara , 80 mijë njerëz janë larguar nga kjo zonë./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *