Parlamenti Evropian u prek nga fjalët e 11-vjeçarit Roman Oleksiyev nga Ukraina, i cili humbi nënën e tij gjatë bombardimeve në vitin 2022 dhe kaloi 100 ditë në kujdes intensiv përpara se t’i nënshtrohej më shumë se 35 operacioneve për të riparuar plagët e tij.
Fjalët e tij në Strasburg përlotën përkhtyesin dhe audiencën.
Duke përshkruar përvojën e tij në korrik 2022, Roman fillimisht tha: “Isha me nënën time në spital kur ra një bombë.”
“Kjo ishte hera e fundit që e pashë dhe i thashë lamtumirë”, vazhdoi Romani i vogël.
💔 Interpreter breaks down in the European Parliament while translating for 11-year-old Ukrainian boy
The child, who was badly injured, recalled how he and his mother came under a Russian strike in Vinnytsia.
“It was the last time I saw my mother and could say goodbye to her,”… pic.twitter.com/HeB9DIUzrG
— NEXTA (@nexta_tv) December 11, 2025
Pasi ndërhyri kolegu i përkthyesit, 11-vjeçari vazhdoi duke thënë: “E pashë nën rrënoja, i pashë flokët dhe i thashë lamtumirë. Pastaj qëndrova në kujdes intensiv për më shumë se 100 ditë dhe iu nënshtrova 35 operacioneve të ndryshme dhe jam në rrugën e shërimit.”
“Kur jemi bashkë, jemi të fortë, nuk dorëzohemi kurrë dhe vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe fëmijët e saj”, përfundoi ukrainasi i ri, i shoqëruar nga duartrokitje .
Historia që u bë film
Në korrik të vitit 2022, Romani dhe nëna e tij, Halina, po prisnin takimin me mjekun në Vinnytsia të Ukrainës, kur raketat goditën klinikën.
Gjithsej 26 persona u vranë, përfshirë Halinën. Romani arriti të dilte nga rrënojat e ndërtesës, por me lëndime të brendshme dhe djegie që mbulonin 45% të trupit të tij.
Për fat të mirë, brenda vetëm pak ditësh, atëherë 8-vjeçari u dërgua jashtë vendit për kujdes të specializuar nëpërmjet një programi evakuimi mjekësor të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bashkimit Evropian dhe disa shteteve anëtare të OBSH-së.
Romani u dërgua në Spitalin Universitar të Dresdenit në Gjermani.
Historia e Romanit është bërë edhe një film i shkurtër i quajtur “Romchyk”, bazuar në ëndrrën e tij për t’u bërë balerin. Për pjesën më të madhe të kohës së shtrimit në spital, ukrainasi i vogël iu desh të mbante një maskë të veçantë dhe fasha kompresive për plagët e tij.
Pavarësisht frikës së mjekëve se Romani mund të mos ecte më kurrë, ai luftoi dhe ia doli mbanë me ndihmën e vallëzimit dhe fizarmonikës. Babai i tij thotë se vallëzimi e ndihmoi Romanin të përmirësonte ekuilibrin dhe forcën e muskujve, ndërsa teknika komplekse për të luajtur melodi fizarmonike përmirësoi fleksibilitetin e duarve të tij të plagosura.
Në fund të vitit 2024, Romani arriti ta hiqte maskën dhe tani është kthyer me të atin në Ukrainë, duke fituar çmimin e parë në një konkurs ndërkombëtar fizarmonike.





