Buxheti i vitit të ardhshëm e vendos fokusin te rritja e pagave dhe pensioneve. Eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmëve në Vizion Plus me gazetaren Megi Beshello vë në dukje se, përtej rritjes dhe investimeve të planifikuara, buxheti vijon të mbajë të njëjtin profil financiar të viteve të mëparshme, me pak hapësirë për projekte që mund të sjellin transformime afatgjata në ekonomi.
Intervista e plotë
-Si e lexoni ju buxhetin që është miratuar nen për nen në Parlament?
Gjokutaj: Në aspektin formal të tij pati hapësirë për diskutim teknik mbi efektet afatgjata në politikat fiskale, por dhe investimeve të parashikuara, u perceptua më shumë si një rutinë proceduriale se sa si një moment për të rishikuar gjithë drejtimin e zhvillimit ekonomik që një buxhet arrin të japë. Natyrisht që prioritetet kryesore ishin në infrastrukturë, energji dhe sektorë socialë që vazhdojnë të jenë shtyllat ku mbështet premtimi për rritjen ekonomike që u tha. Buxheti ruan ende një profil ekzsitues të financimit pasi shumica e atyre që janë investime, duket se do të shkojnë për projektet e prapambetura dhe ka pak hapësira për projekte transformuese. Këtu kam parasysh arsimin cilësor, kërkimin shkencor, tranzicionin energjitik si dhe zhvillimin rajonal i cili në vetvete ka probleme të polarizimit.
-Shtesa më e madhe në anën e shpenzimeve lidhet më pagat. Në raport më Prodhimin e Brenshëm Bruto është niveli më i lartë për shpenzimet për paga që nga viti 2017-të. Si e konsideroni ju këtë?
Gjokutaj: Mendoj që qasja lidhet me atë që quhet procesi i integrimit për të bërë një balancim me pagat e atyre vendeve që ne do të aderojmë, por nga ana tjetër edhe për t’i dhënë një shtesë kosnumit pasi një pjesë e mirë e atyre që marrin të ardhura nga pagat, janë kosnumatorët dhe ekonomia mbështetet në këtë konsum të tyre. Dhe duke dhënë edhe një shtytje jo vetëm konsumit por edhe kontributeve fiskale, sa në tatimin mbi pagat por edhe në kontributet e sigurimeve të cilat në vetvete i rikthehen ekonomisë. Motivimi kryesor është edhe qasja ndaj cilësisë së administratës, e cila edhe pse ka përmirësime është ende larg në raport me produktivitetin që duhet të japë në raport me rritjen e pagave.
-Mbrojtja sociale dhe pensionet zënë gati një të tretën e buxhetit, çfarë do thotë kjo ?
Gjokutaj: Rritja e fundit është pozitive, por mbetet e paqartë se sa e mjaftueshme është përballë kostos së jetesës, pabarazive rajonale dhe rritjes së inflacionit. Opozita kërkoi një tjetër lloj indeksimi, gjë e cila u refuzua. Pa politika të forta të drejtësisë sociale, buxheti rrezikon të mos prekë një nga grupet më të prekura dhe ky është një nga shqetësimet e mëdha. Përtej asaj çfarë është thënë për rritje të përmuajshme të pensioneve dhe shtresave në nevojë, kjo nuk përqaset me atë që ato kanë relativisht nevojë me kostot e rritura.
-Po sa i takon investimeve ku janë orientuar ato në buxhetin e vitit 2026-të?
Gjokutaj: Prioritetet janë infrastrukturë, energji por edhe në ato sektorë socialë. Sektorët socialë kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë, të cilat me ato fonde që kanë marrë nuk arrijnë dot të bëjnë transformimin për atë çfarë është ambicie, në aspektin e lidhjes së asaj që ka të bëjë me tregun e punës dhe një shëndetësie cilësore e cila ndikon jo vetëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimit por nga ana tjetër edhe në një rritje të performancës për sa i përket shtresave që kanë nevojë. Skenari duhet të ishte më i suksesshëm në aspektin makroekonomik ku të paktën duhet të ishin tre skenarë, ai që paraqet qeveria, një skenar më realist dhe një më i tërhequr me qëllim që të jetë i përgatitur ndaj goditjeve që mund t’i vijnë ekonomisë, pasi dihet që ekonomia është e varur nga importet. Një balancë e madhe duhet t’i jepej edhe prodhimit dhe konkurrueshmërisë së tij, por në fakt këto janë problemet më të mëdha. Edhe pse ka një qasje më pozitive se viti i kaluar, janë të pamjaftueshme dhe nuk arrijnë dot efektivitetin e tyre.





