Irani kërkon forcimin e lidhjeve me Turqinë, Pezeshkian: Të zgjerojmë bashkëpunimin për sigurinë rajonale

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani është i gatshëm të zgjerojë bashkëpunimin dypalësh me Turqinë, në një mënyrë që t’i shërbejë interesave të përbashkëta dhe të forcojë sigurinë rajonale.
Në një mesazh urimi drejtuar Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me rastin e Ditës Kombëtare të vendit, Pezeshkian ka vënë në dukje lidhjet e ngushta historike, kulturore dhe fetare që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve fqinje.
Ai theksoi se marrëdhëniet midis dy shteteve mund të thellohen më tej përmes një vullneti të përbashkët politik.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, kreu i shtetit iranian bëri të qartë se vendi i tij i ka kushtuar gjithmonë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve me Turqinë, duke e konsideruar atë si një partner strategjik kyç.




