Gazetari estonez me origjinë ruse Rodion Denissov, i cili së bashku me bashkëshorten dhe një gazetar tjetër nga Letonia, ishte ndaluar ditë më parë nga autoritetet e policisë së Kosovës thotë se kanë qenë te ftuar tek kryetari i Parteshit Dragan Nikolic dhe konsideron se ndalimi i tyre përbënë shkelje të të drejtave të njeriut. Edhe pse shtetas të dy vendeve anëtare të BE, ai për kosova.info thotë se janë me origjinë ruse dhe shkruajnë për revista dhe portale ruse.

 

Denissov është botues i revistës “Jeta e bukur”, që merret me stilin e jetës-kulturë, udhëpërshkrime e ngjarje të ndryshme e cila botohet në Estoni në gjuhë ruse. Ndërsa kolegët e tij nga Letonia Jurijs Aleksejevs– bloger dhe tjetri nga Rusia, Petr Davydovi, punon për disa gazeta të qytetit rus Vollogda dhe disa portale ortodokse.

 

Denissov thotë se vizita në Kosovë është bërë me iniciativë të tyre dhe kishte për objektiv njohjen me situatën në vend dhe bërjen e reportazheve përshkruese në lidhje me jetën e njerëzve të zakonshëm, si dhe për të vizituar manastirët ortodokse të Kosovës me qëllim të tregimit rreth tyre për lexuesit e tyre si vende potenciale turistike.

 

“Kam qenë i shoqëruar edhe nga bashkëshortja Vera. Më 17 gusht, unë me bashkëshorten time dhe kolegun Jurijs Aleksejevs kemi hyrë në republikë përmes pikës kufitare nga ana e vendbanimit serb Bujanovc. Në të njëjtën kohë, Petr Davydovi, i cili në të njëjtën ditë u përpoq të hynte në Kosovë me transport privat, nuk e lejuan, prandaj ne u detyruam të lëviznim pa te me ndihmën e disa shokëve tanë serbë”, thotë Denissov.

 

Për Denissovin kjo është vizita e katërt e tij në Republikën e Kosovës. Tri herët e para ka pasur udhëtime të përbashkëta me Petr Davydovin dhe siç thotë nuk kishin asnjë problem me autoritetet.

 

“Në fakt udhëtimet tona përpara nuk ndryshonin shumë nga ajo e fundit – ne komunikonim me njerëz, vizitonim manastiret dhe xhamitë, shihnim bukuritë natyrore. Vetë Petr Davydovi kishte vizituar Kosovën dhjetëra herë, duke sjellë një ndihmë të vogël për të varfrit dhe të sëmurët në komunat serbe në emër të bashkësisë fetare të qytetit Vollogda dhe gjithashtu për të mbledhur tregime për portalin ortodoks pravoslavie.ru”, thotë ai.

 

Ky portal merret me trajtimin e çështjeve të fesë ortodokse dhe veç rusishtes publikimet e saj transmetohen edhe në gjuhë angleze dhe serbe. Ky portal publikon mjaft shumë për Kosovë duke iu referuar peshkopëve ortodoks serb, por edhe analistëve dhe opinionistëve të ndryshëm të cilët jo pak shtrembërojnë faktet e gjendjes reale, qoftë manastireve apo edhe komunitetit serbë.

 

Denisssov gjatë tri udhëtimeve të mëparshme, kishte krijuar miq në Kosovë të cilët edhe këtë herë i pranuan.

 

Njëri prej tyre është kreu i komunës serbe të Parteshit, Dragan Nikoliq, i cili gjithmonë ishte i gatshëm tu ndihmonte në udhëtime në manastire dhe strehim. Por Denissov konsideron se ndalimi i tyre nga ana e autoriteteve të policisë është i pabazuar duke pohuar se kanë qenë dy mesazhe të publikuara në profilet e tyre në rrjetet sociale ajo që ka bërë të akuzohen për aktivitete subversive kundër Republikës së Kosovës.

 

“Gjatë marrjes në pyetje në policinë e Gjilanit na akuzuan për atë, që ne guxuam të shprehim qëndrimet vlerësuese personale për atë që kemi parë në Kosovë në faqet personale në facebook (në atë personale, dhe jo nëfaqet e botimeve që ne përfaqësojmë). Mbi këtë bazë, ne u akuzuam për aktivitete subversive kundër Republikës së Kosovës. Përveç kësaj, na janë marrë parasysh vetëm dy mesazhet. Në njërën prej të cilave kam shprehur dyshime nëse monumentet e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vendosura në çdo vendbanim janë të bukura nga ana estetike dhe jo provokuese nga këndvështrimi të serbëve dhe shqiptarëve vendas. Në tjetrën kolegu im Jurijs Aleksejevs ishte fotografuar në Beograd me një bluzë me mbishkrimin “Serbia dhe Kosova” dhe me një zemër. Sipas fjalëve të tij, ai e mori këtë imazh për shprehjen e pajtimit mes dy vendeve”, thotë Denissov.

 

Por ai ndihet i befasuar pse policia nuk mori parasysh postimet tjera që tregonin bukurit turistike të Kosovës dhe shijimet e kuzhinës lokale.

 

“Në polici nuk e di pse askush nuk dëshironte t’i merrte parasysh edhe pse për pikëpamjen time, mund të vlerësohet vetëm fotografia e përgjithshme e udhëtimit, e cila përbëhet nga shumë detaje – përshtypje të ndryshme dhe jo çrrënjosje e diçka nga konteksti. Në deklaratën time në polici iu kam referuar të drejtës së lirisë së fjalës, nga konventat ndërkombëtare dhe Kushtetuta e Kosovës, por oficeri i policisë tha se nuk kam të drejtë t’ia mësoj ligjet. Edhe ai ka këndvështrimin personal për të vërtetën, dhe asnjë variacion tjetër nuk mund te ekzistojë”, tha ai.

 

Gazetari estonez me origjinë ruse vazhdon ta konsiderojë ndalimin e tyre të paligjshëm meqë siç tha nuk iu dha mundësua të merrte në telefon Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë, ose të ftoj një përfaqësues të ambasadës së ndonjëvendi të BE-së.

 

“Na morën telefonat celularë, i hoqën të gjitha informacionet pa lejën e tyre dhe nuk u është dhënë mundësia të kontaktojnë diplomatët e BE-së ose drejtpërdrejt Ministritë e Jashtme të Estonisë dhe Letonisë. Por për këtë kategorikisht na mohuan. Zyrtari policor i Kosovës madje tha se vetëm ai do të vendosë se kë duhet ta kontaktoj dhe sa kohë do të kaloj në paraburgim, përderisa unë paraqes një rrezik për vendin e tij. Gjithashtu ngre dyshime ligjshmëria e paraburgimit për 6 orë si dëshmitar në seksionin e policisë të bashkëshortes sime Vera, ndaj të cilës askush nuk ka ngritur akuzë. Sipas standardeve evropiane, kjo është qartë, një tejkalim i normave procedurale për afatin e ndalimit të një dëshmitari”, tha ai.

 

I pyetur nga kosova.info, në Kosovë ka qenë si gazetarë apo qytetarë i zakonshëm, Denissov thotë se në Kosovë kanë ardhur si miq personalë të mikut të tyre Dragan Nikoliq dhe nuk kanë planifikuar të takohen me zyrtarë të tjerë të Kosovës – vetëm me njerëz të zakonshëm.

 

“Ishte e rëndësishme për ne që të kishim një përshtypje të përgjithshme për jetën e republikës, mundësitë aktuale të turizmit dhe trendet e ndryshimit të jetës gjatë katër viteve të fundit, gjatë të cilave kisha mundësinë të vizitoj Kosovën. Në fakt, ndryshimet e jashtme duken qartë për të mirë dhe Dragan Nikoliq vazhdimisht tregonte për këtë. Mjerisht, ndalimi ynë I paligjshëm dhe presioni për nxjerrjen e informacionit për të diskredituar Dragan Nikoliqin tregojnë se përmirësimi i jashtëm fsheh njëkohësisht një përkeqësim të punëve në aspektin e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes”, thotë ai.

 

Në vijim Denisov nuk e kishte konsideruar të nevojshme akreditimin nga institucionet vendore për të punuar në Kosovë meqë nuk planifikonin intervista zyrtare me zyrtarë të institucioneve shtetërore.

 

Ai pak është kontravers në këtë meqë në anën tjetër thotë se kishte pyetur policinë nëse ka mundësi të intervistojë ndonjë nga zyrtarët e institucioneve.

 

“Pasi që nuk planifikonim intervista zyrtare me institucionet shtetërore, por shkuam te miqtë, duke planifikuar të grumbullonim për botimet tona informacione të ligjshme nga burime publike që janë në disponim për çdonjëri, atëherë nuk na duhej akreditimi. Gjatë qëndrimit tonë në republikë dy herë e kaluam legalisht kufirin e Kosovës, dhe dy herë na u vulosën pasaportat për kalimin e kufirit nga rojet kufitare”, tha ai.

 

Që nga ndalimi Denissov thotë se ka ndryshuar mendimi për Kosovën dhe nuk është si më parë.

 

“Më parë, mendimi ynë për Rpublikën ishte shumë më mirë. Kjo është arsyeja pse kam rrezikuar të ftoj miqtë e mi-gazetarë këtë herë. Unë u thashë atyre se gjithçka në Kosovë është e qetë dhe tendencat e rregullimit të situatës mund të jenë interesante për botimet e tyre. Ne donim të mbledhim një pasqyrë të plotë të asaj që po ndodhte dhe të shkruajmë materiale objektive moderne për mënyrën se si gjërat qëndrojnë në realitet. Në fakt pyeta policinë për mundësinë e intervistimit të zyrtarëve të Kosovës, përfshirë presidentin dhe ministrat, por kjo më është mohuar në formë mjaft të rëndë. Përkundrazi, u tha se nëse unë edhe ndonjëherë kthehem në Kosovë, atëherë atje do të më presin prangat. Çfarë mendoni, çfarë përshtypje për vendin dhe zbatimet e ligjeve në të mund ta kem pas kësaj?”, tha ai.

 

Ndërsa thotë se bashkë me kolegët Jurij Aleksejev dhe Petr Davydovi si më parë janë të gatshëm të takohemi me udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës dhe të dëgjojnë pozicionin e tyre nëse ata tregojnë interes për këtë. Por për këtë ai kërkon të ketë garanci të qarta sigurie, dhe tu kërkohej zyrtarisht falje për incidentin e 23 gushtit.

 

Gjatë vizitave në tri raste Denissov thotë se çdo herë ka gjetur diçka të re dhe interesante.

 

“Për më tepër, pasi që kam një revistë informative dhe argëtuese, kam peshuar mundësinë e organizimit nëpër kanale zyrtare të ekskursioneve turistike për vende dhe objekte interesante të Kosovës për turistët estonezë. Mjerisht, me sa duket, tani duhet vënë pikë në këto ëndrra. Nëse autoritetet e republikës e shohin çdo të huaj (aq më tepër rusofolësit) si një armik dhe një kërcënim, atëherë për turistët padyshim është tepër herët për të udhëtuar këtu”, thotë ai.

 

Në Rusi, ka shumë albanologë që merren me historinë dhe kulturën shqiptare. Disa prej tyre rregullisht marrin pjesë në seminaret e albanologjisë në Prishtinë. Por shumica e publikimeve në mediat ruse e tregojnë imazhin e Kosovës në politikë dhe në sferën kulturore në një mënyrë shumë negative.

 

Denissov iu shmang përgjigjes lidhur me këtë çështje duke thënë se ndoshta autoritetet e vendit nuk dinë për të komunikuar me të huajt. Nëse gazetarët mund të torturohen moralisht për 6 orë, çfarë mund të pritet?

 

“Por me siguri të komentoj këtë çështje është vështirë për mua, sepse unë vij nga Estonia dhe jo Rusia (edhe pse unë jam një rus etnik). Në fakt, Estonia është tashmë kryesuese e Bashkimit Evropian, dhe unë jam një qytetar i Estonisë”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *