Edhe pse ndërprerjet e energjisë, nuk kanë munguar gjatë ditëve të festave, justifikimi i kompanisë së shpërndarjes është se ato kanë qenë katër herë më të pakta në numër se një vit më parë. Në një deklaratë për mediat, OSHEE ka nxjerrë grafikun e mbingarkesave që kanë patur linjat e transmetimit, të cilat kanë qënë shkaqet kryesore të defekteve. Amortizimi i rrjetit të shpërndarjes në vite ishte kryefjala e shkaqeve se përse ka patur stakime të energjisë elektrike. Megjithatë OSHEE sqaron se grupet e punës në mënyrë të organizuar, me 1300 punonjës në gatishmëri, kanë arritur që të riparojnë defektet në kohë rekord. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, sqaron se vetëm për ditët e festave janë bërë rregullime në rrjetin e energjisë në vlerën e 1.3 miliard lekëve, ndërsa po punohet në nënstacione të shumta në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit te qytetarët. Ndërprerjet më të shpeshta të energjisë, kanë qënë në Tiranë, rajoni i cili ka dhe ngarkesën më të madhe në rrjet.