Subscribe

Në moshën 27-vjeçare humbi bashkëshortin nga një sëmundje e rëndë. E vetme, iu desh të rriste dy djemtë e saj dhe të përballonte problemet financiare. Por ngushëllimin e ka gjetur te pena.

Shkrimtarja nga Gjirokastra, Mimoza Nebiaj, e ftuar në “Vizioni i Pasdites” ka rrëyer jetën e saj mes vuajtjesh. Tregon se ia ka dalë të jetë e fortë pavarësisht të gjithave, por tani po përballet me sëmundjen e gjirit dhe bën thirrje për ndihmë.

“Bashkëshorti, pasi e mori vesh për sëmundjen jetoi një vit e gjysmë. Djemtë ishin të vegjël, njëri 2 vjeç dhe tjetri 1 vit e gjysmë. Në momentet e fundit, na përqafoi dhe më la amanet fëmijët. Unë amanetin e tij po e vazhdoj dhe sot. Kur nuk i shikoj djemtë më duket sikur më mungon diçka. Vetëm për ata jetoj”, thotë shkrimtarja.

Tregon, se mes vargjeve nxjerr dhimbjen.

“Mundohesha që mes halleve të shkruaja diçka në darkë. Gjeja një moment dhe i hidhja vargjet në një fletore të vjetër duke qarë. E ruaja me kujdes dhe një ditë e botova. Në dorë kam librin e dytë me poezi dhe kam nisur romanin e tretë “Të ngrihesh mbi dhimbjen”. Gjej forcë dhe ngrihem mbi dhimbjen, sepse jeta është shumë e vështirë, sidomos për një grua”, tregon zonja Nebiaj.

Si të mos mjaftonin të gjitha këto, djali i saj i vogël pësoi një incident dhe u dogj teksa ishte fëmijë.

“Djali kishte marrë flakë që në mes e poshtë. Kishte veshur çorape leshi dhe nuk kisha çfarë t’i bëja. Erdhi fqinji, na çoi në spital. Ishte në gradën e fundit, flaka kishte filluar t’i shkrinte lëkurën. Kur e çova në spital më thanë “shpëton ose nuk shpëton”. Atje nuk e mbaj mend ku rashë. Prindërit dhe vëllezërit e mi më kanë ndihmuar shumë me rritjen e fëmijëve të mi. Djegia e djalit ishte një nga momentet që nuk e harroj dot. Djali është mirë, por ka nevojë sërish për operacion plastik”, thotë zonja Nebiaj.

Shkrimtarja thotë se edhe vetë i duhet të luftojë me sëmundjen e shekullit, atë të gjirit. I bën thirrje të gjithë personave që dëshirojnë ta ndihmojnë, pasi e vetme nuk mundet ta përballojë.

“Përballem me sëmundjen e shekullit të gjirit. Me shumë vështirësi financiare e përballoj”, përfundon ajo./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *