Të paktën 10 persona humbën jetën pasi një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme në Teksas të SHBA-se. 10 të tjerë janë plagosur, mes tyre edhe një oficer policie, dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

 

Shumica e viktimave janë nxënës.

 

Autori i ngjarjes së rëndë në shkollën “Santa Fe High School”, është identifikuar si Dimitrios Pagourtzis17-vjeç, nxënës i kësaj shkolle. Ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes tragjike.

 

Një ditë pas ngjarjes, policia ka zbuluar se adoleshenti përdori një armë gjahu dhe një revole në pronësi të babait të tij. Në celularin dhe kompjuterin e 17 vjeçarit, të cilat u sekuestruan nga policia, janë zbuluar të dhëna se adoleshenti e kishte planifikuar sulmin, dhe në fund do të vriste edhe veten, pavarësisht se ai nuk pati guximin të bënte vetëvrasje,

 

Presidenti amerikan Donald Trump shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave.

 

“Fatkeqësisht më duhet ta nis duke shprehur trishtimin dhe dhimbjen tonë për masakrën në shkollën e mesme ‘Santa Fe’ në Teksas. U shprehim ngushëllimet dhe mbështetjen tonë të gjithë atyre që janë prekur nga ky sulm i tmerrshëm: studentëve, prindërve, mësuesve dhe personelit në shkollë. Administrata ime është e vendosur të bëjë gjithçka në fuqitë e saj për të mbrojtur studentët tanë, për të siguruar shkollat dhe për t’i mbajtur armët larg duarve të atyre që përbëjnë kërcënim për veten dhe të tjerët. Kjo është një ditë shumë e trishtë”

 

Ndërkohë policia po vijon hetimet për të zbardhur krimin qe tronditi sërish amerikanët. Autoritetet kanë gjetur edhe pajisje shpërthyese, si dhe paralajmëruan qytetarët të mos prekin asgjë të dyshimtë.

 

Ky është sulmi i tretë gjatë 7 ditëve të fundit dhe i 22-ti në shkollat amerikane që prej fillimit të 2018-ës në SHBA.

 

Ndërkohë, masakra e Teksasit do të ashpërsojë edhe më tej debatin për armët në SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *