Hamasi njoftoi se refuzimi i fundit i Izraelit, për propozimin e armëpushimit, i kthen negociatat “në fillim”.

Në deklaratën e saj, lëvizja palestineze theksoi se i kishte dhënë dritën jeshile një propozimi për armëpushim, duke përfshirë tërheqjen e Izraelit nga Gaza, si dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë , me qëllim të një “armëpushimi të përhershëm”.

Hamasi shtoi se do të zhvillojë konsultime me fraksionet palestineze për të rishikuar strategjinë e tij negociuese.

Negociatat në Kajro përfunduan të enjten pa një marrëveshje.

Pse dështuan bisedimet e Hamasit dhe Izraelit në Kajro

Hamasi ka kërkuar një armëpushim 12-javor në përpjekjen e tij të fundit për të arritur një marrëveshje, e cila ka krijuar një pengesë në bisedimet e armëpushimit, i thanë CNN tre burime me njohuri për bisedimet, të cilat u zhvilluan në Kajro.

Të njëjtat burime theksuan se gjatë bisedimeve, organizata palestineze ra dakord për një armëpushim për gjashtë javë, gjatë së cilës negociatat do të vazhdonin.

Ata gjithashtu shtuan se kërkesa e re është një ndryshim i qartë i qëndrimit të mëparshëm të organizatës.

Zhvillime dramatike në Gaza, bombardime të shtuara – Hamasi dhe Izraeli u larguan nga Kajro pa marrëveshje

Në ditën e 217-të të luftës, Izraeli ka shtuar sot bombardimet ajrore në Rripin e Gazës pas tërheqjes, pa marrëveshje, të delegacionit izraelit dhe atij të Hamasit nga tryeza e negociatave indirekte.

Në orët e hershme të mëngjesit, ekipet e AFP-së raportuan se kishin dëgjuar zjarr artilerie kundër Rafahut dhe dëshmitarët okularë folën për sulme ajrore në qytetin e Gazës dhe kampin e refugjatëve Jabalia në veri.

Delegacionet e Hamasit dhe Izraelit u larguan nga Kajro pas “dy ditë negociatash”, raportoi media Al-Qahera, që besohet se ka lidhje me shërbimin e inteligjencës egjiptiane, duke siguruar se përpjekjet e vendeve ndërmjetësuese (Katari, Egjipti, SHBA) vazhdojnë, me synimin për të sjellë një “konvergjencë pikëpamjesh” të palëve në konflikt.

Drejtori i CIA-s, Uilliam Bërns , i cili mori pjesë aktive në bisedime gjatë kontakteve në Kajro dhe Jerusalem, sot po kthehet në SHBA, njoftoi John Kirby, përfaqësuesi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidencës amerikane.

Hamasi i dha dritën jeshile propozimit të paraqitur nga ndërmjetësit, i cili, parashikonte tre faza nga 42 orë secila, duke përfshirë tërheqjen e plotë të trupave izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve izraelite në Gaza me të burgosurit palestinezë në Izrael.

Por qeveria izraelite u përgjigj se ky propozim ishte “larg kërkesave të saj”, duke përsëritur se kundërshton një armëpushim definitiv për sa kohë që Hamasi, i cilësuar si organizatë terroriste nga vetë, SHBA dhe BE, nuk është “mposhtur”./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *