Subscribe

Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari shkoi pranë grevisteve naftëtare këtë të enjte. Ajo dëgjoi nga afër shqetësimet e tyre. Hajdari tha në “Facebook” pas takimit se ata kërkojnë bukën e gojës. Sipas saj, lekët e tyre vidhen.

 

“E nisa sot ditën me burrat dhe gratë naftëtarë të cilët janë prej dy javesh në grevë urie me kërkesën më minimaliste në botë: Duan pagat e tyre për punën që kanë kryer në Uzinë e për të cilat kanë edhe një vendim gjykate. Elena, Dhurata, Moza, Hëna, Floresha, Zamira, Dejana, Lulzimja, Vjollca dhe zonjat e tjera sot kërkojnë veç bukën e fëmijëve të tyre. Ajo që ndodh është se nafta vidhet, shitet në të zezë e për rrjedhojë kompanitë deklarojnë faliment e nuk paguajnë pagat e as taksat. Pra lekët e naftës, lekët e taksave e mbi të gjitha lekët e pagave vidhen. Nuk e di a ka akt me kriminal se sa të grabisësh bukën e fëmijëve, ëndrrat e tyre, fletoret e lapsat.  Nuk e di a ka akt më kriminal se sa të mos paguash rrogat e punëtorëve të varfër. Nuk e di a ka akt më të turpshëm se sa një qeveri e kryeministër që hesht e tallet me bukën e fëmijëve të naftëtarëve.”

 

Ajo u zotua para naftëtarëve se do të ngrejë shqetësimin e tyre për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.

 

“U angazhova para naftëtarëve se do ta ngre zërin sa të mundem e ku të mundem për ta dhe do të jem në krahun e tyre, jo vetëm për problemin e pagave por mbi të gjitha për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë që kjo situatë të mos përsëritet më kurrë.”

 

Edhe këtë të enjte nuk mungoi thirrja e kryeministrit Edi Rama për naftëtarët që të ndërpresin grevën me qëllim që të nisë dialogu. Por grevistet vazhdojnë të refuzojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *