Një grup kriminal që trafikonte vajza nga Azia Qendrore dhe Amerika Latine në Shqipëri me qëllim shfrytëzimin për prostitucion është goditur nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Vetëm në Shqipëri u arrestuan, 7 prej tyre nga 9 masa sigurie në total, ndërsa organizatori Lukas Betancur është arrestuar në Kolumbi. Po ashtu 48 vajza të huaja janë vënë në hetim për prostitucion. Baza e tyre ndodhej në një hotel në qendër të kryeqytetit.
Lukas Betancur kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri.
Në rast refuzimi ai ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi.
Autoritetet atje kanë siguruar prova se ai arrinte deri në marrjen peng të familjarëve të vajzave në Kolumbi, përfshirë motrat apo nënat e vajzave.
25-vjeçari rezulton të jetë edhe menaxheri kryesor i faqeve online të prostitucionit, “Happy Escort” dhe “Euro Girls”.
Aktivitetin ai nuk e kishte shtrirë vetëm në Shqipëri, por thuajse në të gjithë Ballkanin dhe në Europë.
Prova kundër tij në Kolumbi, përveç Shqipërisë, dërguan edhe vende si Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Gjermania.
Autoritetet shqiptare mundën të marrin deklarimin e të paktën 40 vajzave të huaja që janë shfrytëzuar për prostitucion në Shqipëri.
Burimet bëjnë me dije se 25-vjeçari, pasi rekrutonte vajzat, u paguante udhëtimin drejt vendit tonë, ku më pas nisnin aktivitetin e prostitucionit. Në Kolumbi, në mesin e të arrestuarve është edhe Mario Betancur, babai i 25-vjeçarit.
Luka Bentacur bashkëpunonte me Dritan Sukaj që siguronte kushtet për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit; ndërsa Ilmar Gugashi kishte përshtatur hotelin në Tiranë, si vend për strehimin e të rejave.
Dy anëtarët e tjerë të grupit, Assel Adrysheva dhe Kejvin Ndreu shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat qëndronin në këtë hotel; Denis Berisha nga ana tjetër iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientët.
Të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal, transferoheshin nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e Lucas Betancur.
Gjatë operacionit janë sekuestruar shuma parash, 7 celularë dhe prova të tjera të vlefshme për hetimin. /vizionplus.tv





