Subscribe

Gara për kreun e TKOB është mbyllur. 5 janë kandidatët që kanë dorëzuar platformat e tyre në ministrinë e kulturës, tenorët Agim Hushi e Josif Gjipali, baritoni Ylber Gjini, trombisti Kleanth Gjika dhe Zana Çela. Gara sapo ka nisur dhe kandidatët janë gati të flasin për programin e tyre. Agim Hushi, me një përvojë të gjatë jo vetëm në skenë, por edhe në menaxhimin apo mbështetjen e përgatitjen e të rinjve premton të mbesë gjithnjë kështu, një artist dhe drejtues që do t’i mbajë dyert hapur për cilësinë e mirë në art. Ndërsa rivali i tij në këtë garë artistike Ylber Gjini, që ka një jetë në skenën e TKOB mendon vlerësimi i figurave që e kanë bërë skenën të gjallojë e publikun të duartrokasë nuk duhet të mungojë. Në lidhje me publikun, të dy kandidatët kanë një premtim. Ta çojnë më afër atyre që nuk jetojnë në Tiranë. Për Gjinin, rikonstruksioni i ndërtesës është një motiv i mirë kur artistët të jenë pa skenë, ndërsa Hysi mendon përtej rikonstruksionit. Epoka e të ngujuarit të artistëve në institucion për Hysin duhet të marrë fund. Ata duhet të jenë të lirë të performojnë në çdo skenë të huaj ku i jepet mundësia. Sa i përket godinës, tanimë të shkatërruar, Gjini mbështetet në modele të huaja teatrosh, ndërsa për Hushin, projekti i rikonstruksionit duhet të kapë edhe pjesën rrethuese të TKOB. Këto janë vetëm pak nga pikat që ata kanë dorëzuar në platformat e tyre në ministri. Kryeministri pret tre emra nga Ministria e Kulturës për të vendosur. Por, të dy artistët e mbyllin bisedën, ashtu sikurse artistë, pa mëri dhe me shprehjen: Le të fitojë më i miri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *