Një shtëpi muze për Dritëro Agollin ndërtesa në fshatin Menkulas në Devoll, inaugurohet në 95-vjetorin e lindjes së shkrimtarit

Gjeniu i letrave shqipe Dritëro Agolli ka tanimë shtëpinë muze në fshatin e lindjes, në Menkulas të Devollit, shtëpi e cila është përuruar në 95 vjetorin e lindjes.
I pranishëm ishte dhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj i cili mes të tjerave tha se për devollinjte por edhe gjithë shqiptarët, poeti ka një rëndësi të veçantë, ndaj edhe sot nderohet me një shtëpi muze
“E di se kjo ditë ka një kuptim të veçantë për ju. Për publikun, Dritëroi ishte shkrimtari i madh, poeti i dashur, intelektuali i njohur. Për ju ishte babai, gjyshi, njeriu i familjes, me kujtimet, zakonet, humorin dhe ngrohtësinë e tij.
Ju e keni njohur atë përtej librave dhe ceremonive, në përditshmërinë e jetës. Pikërisht kjo e bën kaq të çmuar kontributin tuaj për ruajtjen e kujtesës së tij, sepse një muze letrar nuk duhet të na tregojë vetëm shkrimtarin që njohim nga librat. Duhet të na ndihmojë të zbulojmë edhe njeriun që qëndron pas tyre”, tha Begaj.
Emil Agolli, nipi i poetit mes emocionesh tregoi se nuk nderohet vetëm gjyshi i tij por edhe veprat, të cilat shpesh flasin për Menkulasin, Devollin dhe traditat e kësaj zone.
“Ndihem i emocionuar, jam i lumtur qe dëshira e tij me e madhe u bë realitet që ky muze në fshatin e lindjes u realizua pasi këtu ishte shtëpia e tij e vërtetë. Këtu u formua. Është krenaria me e madhe. Ne kemi qenë gjithë kohën në kontakt me bashkinë për krijimin e muzeut, kemi sjellje objekte, shkrime. Do vazhdojmë të sjellim akoma”, tha Emil Agolli.
Kryetari i shoqatës “Devolli”, Guri Seferi, tha se tanimë kërkesa e gjithë Devollit u jetesua, duke e kthyer këtë shtëpi në një muze dhe atraksion turistik
“Kjo ëndërr e madhe e devollinjve u bë realitet sot. Ky do jetë atraksion jo vetëm historik, turistik por e ekonomik për gjithë zonën. Do shohin vlerat e të madhit Agolli”, tha Seferi.
Shtëpia muze e Dritëro Agollit pritet të kthehet në një pikë të rëndësishme të kujtesës kulturore dhe të turizmit në Devoll.
Në vendin ku u formua poeti i madh, vizitorët do të kenë mundësinë të njohin më nga afër jetën, krijimtarinë dhe lidhjen e tij të veçantë me vendlindjen, duke mbajtur gjallë trashëgiminë e një prej emrave më të rëndësishëm të letrave shqipe.




