Në vendin tonë nuk ka statistika konkrete se sa për qind e popullsisë bëjnë pjesë në klasën e mesme, por ajo që mund të thuhet është se pas tri krizave rresht dhe veçanërisht pas krizës së tejzgjatur të çmimeve, kjo kategori po shkon drejt një minorance, duke dominuar më së shumti ajo kategori e popullsisë që është në kufijtë e jetesës. Pse Shqipëria nuk ka arritur të forcojë themelin e shoqërisë, që i siguron vendit zhvillim ekonomik? Ish-ministri Ekonomisë, Anastas Angjeli, dha një nga arsye në emisioni “E-ZONE” me gazetaren Rajmonda Lajthia.

“Gabimi që është bërë ndër vite lidhet me mungesën e investimit në kapitalin human. Në dekadën e fundit pagat kanë lëvizur pak ose aspak dhe ky është një nga faktet që nuk e ka forcuar klasën e mesme në vend”, – u shpreh Angjeli në “E-ZONE”.

Sipas Angjelit, reforma e pagave e nisur nga qeveria është një lajm i mirë për të forcuar këtë shtresë të popullsisë.

“Reforma e pagave dhe arritja e objektivit që në fund të 2024 paga mesatare të arrijë në 900 euro do të shërbejë si një pikënisje për të forcuar këtë shtresë të popullsisë. Kjo reformë erdhi në kohën e duhur pas përfundimit të krizave të forta që prekën vendin tonë dhe jo vetëm”, – u shpreh Angjeli.

Nëse do t’i referohemi shifrave, nga 730 mijë të punësuar me pagë në vendin tonë, më shumë se 50%, 418 mijë deklarohen me pagë minimale 40 mijë lekë. 288 mijë janë në intervalin 40.000 deri në 200.000 mijë lekë në muaj. Por vetëm 23 mijë individë paguajnë taksë 23% mbi të ardhurat e tyre./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *