24 qershori është cilësuar si një ditë historike për të gjitha gratë në Arabinë Saudite. Për herë të parë në histori ato lejohen të drejtojnë një automjet dhe të kenë një patentë drejtimi në emrin e tyre.

 

Heqja e kufizimit që ndalonte gratë të drejtonin makinën u njoftua shtatorin e vitit të kaluar, si pjesë e programit ambicioz të reformave sociale dhe ekonomike të promovuara nga princi i kurorës 32 vjeçari Mohammed Bin Salman, për të integruar femrat në shoqëri.

 

Ndërsa leja e parë e drejtimit për një femër u dha vetëm në fillim të këtij qershori.

 

Arabia Saudite ishte i vetmi vend në botë ku femrave u ndalohej të drejtonin makinën. Shpesh familjarëve u duhej të punësonin një shofer privat në shërbimin e tyre. Nëse ato tentonin të drejtonin një makinë, dënoheshin me heqje lirie.

 

Jo më shumë se disa javë më parë Arabia Saudite arrestoi 5 aktiviste për shkak se sfiduan ligjin që i ndalonte ato të drejtonin një makinë, para se vendimi për lejimin e drejtimit të hynte në fuqi këtë të diele.

 

Princi i kurorës ka bërë një sërë ndryshimesh në vend për integrimin e femrës. Përveç se mund të drejtojnë makinën, ato tashmë mund të shkojnë edhe në stadium për të parë ndeshjet sportive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *