Subscribe

Votimi historik në Maqedoni vjen pas një kalvari të gjatë 27 vjeçar, mbushur me negociata e përpjekje të fuqishme diplomatike për kompromis me Greqinë.

 

Konflikti mes dy vendeve fqinj nisi me krijimin e ish republikës jugosllave të Maqedonisë, pas shpërbërjes se Jugosllavisë në vitin 1991. Që nga ai moment, Athina zyrtare nuk e njohu emërtesën e re. Greqia pretendoi se Maqedonia ishte dhe mbetet rajoni verior i saj dhe krenaria për Aleksandrin e Madh.

 

Komuniteti ndërkombëtar nisi menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje. Organizata e Kombeve të Bashkuara caktoi ndërmjetësin Methju Nimic për të negociuar me Athinën dhe Shkupin, për të finalizuar një dokument të përbashkët.

 

Por më shumë se dekada kaluan dhe palët nuk pranuan të lëvizin nga qëndrimet e tyre, shpesh edhe të ngarkuara me tone nacionaliste.

 

Gjithçka filloi të ndryshonte rreth tre vjet më parë, kur negociatat u intensifikuan si kurrë më parë. Por të dyja qeveritë u përballën me zërat kundër si nga opozita ashtu dhe nga qytetarët nëpërmjet tubimeve masive.

 

Shumë faktorë politikë e diplomatikë i lidhën këto përpjekje kundërshtuese me ndikimin rus gjithnjë e në rritje në Ballkanin Perëndimor.

 

Çdo marrëveshje do ti hapte rrugë Maqedonisë për anëtarësimin ne NATO e më tej në Bashkimin Europian, një zhvillim ky që shkon kundër interesave të Moskës zyrtare në Rajon.

 

Por negociatat e fundit nuk ishin sërish të lehta. Qeveria greke kërkonte një emër “erga omnes”, pra të përdorur në të gjithë botën dhe të pranuar nga vetë qytetarët e Maqedonisë. Gjithashtu kushti i saj i fortë ishin ndryshimet kushtetuese, që emri i ri të ishte përfundimtar njëherë e përgjithmonë.

 

Nga ana tjetër qeveria maqedonase këmbëngulte që emri të ishte një togfjalësh ku termi Maqedoni të ishte pjesë e emrit si dhe të ruhej identiteti dhe shtetësia maqedonase e qytetarëve.

 

Pas bisedimeve të shumta dy qeveritë ranë dakord që emri më i pranueshëm për të gjitha palët është republika e Maqedonisë së Veriut, një emër i prirur nga orientimi gjeografik.

 

Pikërisht më 17 qershor 2018 u nënshkrua marrëveshja historike e Prespës mes ministrave të jashtëm Nikos Kotzias dhe Nikola Dimitrov.

 

Menjëherë më pas në samitin e Natos në Bruksel, Maqedonia mori ftesën për t’u anëtarësuar në Organizatën e Atlantikut të Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *