Kosova ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të të rinjve me funksionalizimin e ‘FIFA Talent Academy Kosovo’, një projekt i veçantë që synon të identifikojë dhe zhvillojë talentet e reja të futbollit.
Një ngjarje e veçantë është organizuar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku u mblodhën drejtues të Federatës së Futbollit të Kosovës, përfaqësues të FIFA-s, trajnerë të ekipeve kombëtare, përfaqësues të klubeve të Superligës, ish-futbollistë të gjeneratës së artë, si dhe prindër të futbollistëve të rinj.
FIFA Talent Academy Kosovo është akademia e parë e këtij lloji në Ballkan dhe njëra nga vetëm katër Akademitë e Talenteve të FIFA-s që janë aktive në Evropë.
Akademia është plotësisht funksionale që nga fillimi i vitit 2026 dhe ofron një model të integruar për zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Sipas këtij modeli, talentet stërviten katër ditë gjatë javës në akademi, ndërsa në fundjavë vazhdojnë të jenë pjesë e klubeve të tyre, duke ruajtur kështu lidhjen me ekipet ku aktivizohen.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe akademia paralele për vajza, e cila synon të krijojë mundësi të barabarta për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve në futbollin e femrave.
Akademia është pjesë e Talent Development Scheme (TDS) të FIFA-s, programit global për zhvillimin e talenteve, i udhëhequr nga ish-trajneri i Arsenalit dhe drejtuesi i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger.
Ky projekt përfaqëson një investim afatgjatë në gjeneratat e reja dhe synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për prodhimin e futbollistëve të nivelit të lartë për klubet dhe ekipet kombëtare të Kosovës.





