Gjashtë orët e protestës! Zjarr, kaos, molotov dhe tym, çfarë ndodhi në Tiranë

Tirana kaloi një tjetër ditë kaotike, të zhurmshme, me dhunë, djegie e përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë.
Këtë të shtunë ishin thirrur dy protesta, një nga të rinjtë dhe një tjetër nga PD-ja, të cilën e quajti “Protesta Kombëtare”.
Fillimisht, dy grupimet ishin vendosur në pozicione të ndryshme të qytetit: të rinjtë para Ministrisë së Arsimit dhe anëtarët e militantët e PD-së te Kryeministria.
Pas daljes nga selia blu, demokratët, të udhëhequr nga një grup deputetësh e zyrtarësh të lartë të PD-së, në mungesë të Sali Berishës, iu drejtuan Kryeministrisë, ku qëndruan vetëm disa minuta.
Nisja, e cila u duk e qetë, nuk përfundoi e tillë.
Pas Kryeministrisë, demokratët u nisën drejt rrugës së Durrësit, aty ku ishte pozicionuar grupi i të rinjve. Pas disa çastesh qetësie, një pjesë e protestuesve filluan sulmin me gurë në drejtim të Ministrisë së Arsimit, por, pas hedhjes së ujit dhe gazit nga ana e policisë, ata u larguan.
Fillimisht, protestuesit u ndanë në disa drejtime, për t’u ribashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pati sërish përplasje me policinë. Por, pas hedhjes së ujit dhe gazit, protestuesit u tërhoqën në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Në këtë moment nisi edhe kaosi në çdo rrugicë rreth e qark qendrës së Tiranës, pranë selisë së PS-së, Bankës Kombëtare dhe Bashkisë, ku persona të maskuar sulmuan për rreth 5 orë policinë me çdo mjet të mundshëm, duke nisur nga fishekzjarrët e gurët, deri te molotovët dhe shkopinjtë.
Për disa orë me radhë, uniformat blu u gjendën nën breshërinë e gurëve, fishekzjarrëve dhe molotovëve.
Po ashtu, për herë të dytë brenda javës, protestuesit sulmuan selinë rozë, por këtë herë me molotovë.
Megjithatë, ndërhyrja e policisë bëri që grupi i protestuesve të largohej, por jo pa pasoja, pasi një tjetër kioskë u përfshi nga flakët.
Po ashtu, në rrugë shiheshin me dhjetëra kazanë plehrash që digjeshin, të cilët u kthyen në barrikada nga ana e protestuesve për të ndalur ndjekjen e policisë.
Ndërkohë, duhet theksuar se edhe kundërpërgjigjja e policisë ishte e fortë, me gaz, ujë dhe plumba gome.
Pas orësh përplasjesh, sipas informacionit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në orën 19:45 raportohej për 3 efektivë të lënduar, dy përfaqësues të medias dhe 8 protestues.
Ndërsa rreth orës 20:00, ritmi i përplasjeve ra. Shumë protestues u larguan nëpër rrugica, ndërsa policia nisi shoqërimin e disa prej tyre, të cilët nuk mundën të largoheshin.




