Panajot dhe Boni Hamzallari janë dy vëllezërit e rinj korçarë të cilët po spikasin me talentin e tyre në fushën e muzikës
Të dy luajnë në kitarë dhe këndojnë, ndërsa gjatë këtyre ditëve të festave kanë qenë disa herë në skenën e Pazarit të Vjetër të Korçës për të kënaqur vizitorët e shumtë.
Ata tregojnë se kanë kohë që këndojnë edhe pse veten e shohin jashtë Korçës.
“Ne kemi rreth 10 vite që këndojmë dhe merremi me muzikën live, këngët kryesore janë serenatat korçare sepse janë brumi ku jemi rritur, me ato jemi mësuar sepse është muzika e shpirtit tonë. Ne studiojmë dhe rrymën rock, luajmë dhe rock. Të ardhmen Jo, një pasion i joni, është çështja e mbështetjes, nuk kemi mbështetje për krijimet tona, ka mungesë mbështetje”, thotë Panajot Hamzallari.
“Unë jam 22 vjeç dhe fillimet time kanë qenë në moshën 8-vjeçare. Unë luaj në disa instrumentista, luaj në kitarë, jam bassist, vokalist ne bandën time. Nuk mendoj se arti dhe zhanri im mbështetet në këtë vend për shkak se mbështeten antivlerat. Ne kemi disa këngë që do i lancojme për të kënaqur shpirtin tonë e disa njerëz me kokrra që e pëlqejnë këtë muzikë. Shumë pak janë”, tha Boni Hamzallari.
Janë të shumtë të rinjtë si dy vëllezërit Hamzallari, të cilët kërkojnë mbështetjen e institucioneve për promovimin e tyre artistik në juglindje të vendit./vizionplus.tv





