Maqedonisë i ka mbetur shumë pak kohë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e emrit me Greqinë, çështje e cila do t’i hapte rrugën për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

 

Pas disa raunde negociatash në Shkup, Athinë, Bruksel dhe së fundmi në Nju Jork, palët ranë dakord për dy nga 5 emrat e propozuar nga kryenegociatori Methju Nimic: “Maqedonia e Sipërme” dhe ajo veriore.

 

Pala greke ka kërkuar që emri i ri i të jetë një term që do të përdoret nga të gjithë në kontekstin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, gjë e cila është kundërshtuar nga presidenti maqedonas Gjorge Ivanov.

 

Në një deklaratë për shtyp të zyrës së presidentit, theksohet se ai nuk pranon një zgjidhje që do të sillte ndryshimin e emrit të Maqedonisë brenda vendit, dhe as ndryshimin e Kushtetutës.

 

“Qëndrimi i Presidentit Ivanov është parimor dhe njëherësh konsistent me qëndrimet e deritanishme të presidentëve të Republikës së Maqedonisë. Presidenti Ivanov nuk pranon zgjidhje për çështjen e emrit që do të sillte ndryshimin për përdorim të përgjithshëm, por as ndryshim të Kushtetutës.”

 

Ivanov pritet të zhvillojë një takim me ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov për të biseduar për çështjen e emrit, pavarësisht se bisedimet në nivel teknik kanë përfunduar dhe dy kryeministrat Zoran Zaev e Aleksis Cipras pritet të japin vendimin përfundimtar.

 

Duke iu përgjigjur deklaratës së presidentit Ivanov, në një deklaratë për shtyp përcjellë nga zyra e Kryeministrit grek, theksohet se “Zgjidhja dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE kërkon një marrëveshje për një emër të përbërë, që do të zbatohet nga të gjithëve dhe gjithashtu kërkon një ndryshim kushtetues.

 

Një ditë më parë, kryeministri Zoran Zaev, tha se Shkupi dhe Athina kanë arritur një marrëveshje për çështjen e emrit, por pa zbuluar propozimin aktual që është në tavolinë.

 

Ai gjithashtu tha se në rast se gjen gjuhën e përbashkët me homologun e tij grek, Cipras, qytetarët e Maqedonisë do të do t’i drejtohen votimit me referendum për të vendosur përfundimisht për emrin në muajin shtator ose tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *