Një dron rus ka goditur një tren pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, në zonën e Yahodyn, pak pasi një tren tjetër që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë kishte kaluar në të njëjtën linjë.
Sulmi goditi lokomotivën e trenit, ndërsa nuk u raportuan viktima. Autoritetet ukrainase thanë se të gjithë pasagjerët u evakuuan në kohë.
Johnson, së bashku me këshilltarë të tjerë evropianë të sigurisë kombëtare, po ktheheshin nga një konferencë në Kiev dhe kishte udhëtuar përgjatë së njëjtës linjë hekurudhore me një tren tjetër.
Rusia konfirmoi se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore. Megjithatë, kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave, Ukrzaliznytsia, deklaroi se ekziston mundësia që objektivi i dronit të ishte pikërisht treni diplomatik.
Sipas kompanisë, treni diplomatik ishte nisur nga stacioni më herët se sa ishte planifikuar, për shkak të ndryshimeve në orar të bëra për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga sulmet ruse.
Në momentin e sulmit, në stacionin Yahodyn ndodhej edhe ish-shefi i CIA-s, David Petraeus, i cili udhëtonte me një tjetër tren, sipas autoriteteve hekurudhore ukrainase.
Autoritetet ukrainase dhe polake thanë se droni rus goditi rreth 2 kilometra larg kufirit me Poloninë, duke rritur shqetësimet për sigurinë e transportit hekurudhor pranë kufirit të një vendi anëtar të NATO-s.





