Disiplina me dorë të hekurt, Ilir Daja pezullohet me 5 ndeshje

Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë publike vendimet e marra për ngjarjet e regjistruara në ndeshjet e mesjavës, me disa masa ndëshkimore që prekin futbollin shqiptar.
Dënimi më i rëndë i kësaj jave i është dhënë trajnerit të Dinamos, Ilir Daja, i cili është pezulluar për pesë ndeshje për sjelljen e tij gjatë derbit ndaj Tiranës. Një vendim që pritet të ndikojë në planet e stafit teknik të bluve për sfidat e ardhshme.
Masë disiplinore ka edhe për skuadrën bardheblu. Mbrojtësi i Tiranës, Basilio Ndong, është pezulluar me dy ndeshje, për shkak të goditjes ndaj një kundërshtari.
Ndërkohë, Komisioni i Disiplinës ka marrë vendime edhe për Kategorinë e Parë, ku Flamurtari dhe Pogradeci janë ndëshkuar me gjobë për sjellje të parregullta gjatë ndeshjeve të tyre.
Vendimet e fundit konfirmojnë qëndrimin e organeve disiplinore të FSHF-së ndaj shkeljeve të rregullave dhe sjelljeve të papranueshme në fushën e lojës.
VENDIMET:
AF Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Zyrtari i AF Elbasani, Armand Memetaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i FC Dinamo City, Ilir Daja, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i FC Dinamo City, Mark Dodaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF Tirana, Owono Nchama Basilio Ndong, për sjellje josportive ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/b të KDE dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
KF Pogradeci, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë në ndeshje, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 8/1, 17/1, 17/2/a dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i KF Pogradeci, Xhuliano Topuzi, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1, 17/1, dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i Flamurtari FC, Shkëlqim Ramaj, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 13/2 dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i Flamurtari FC, Josel Shtrepi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
KF Bylis, për mos respektimin e përgjegjësive dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa në fillimin e lojës, në bazë të nenit 8/1, të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
Pranimin e kërkesës së kërkuesit Qendrim Ismaili. Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 8, datë 02.04.2026 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, Klubit të Futbollit Tirana i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.




