Pas protestës së opozitës të së hënës, janë proceduar penalisht 22 persona për akte të dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.

 

Gjatë zhvillimit të tubimit të opozitës së bashkuar para Kryeministrisë dhe më pas pranë DPPSH, Parlamentit, Ministrisë së Brendshme si dhe tek Drejtoria Vendore e Policisë, pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarre, tymuese dhe sidomos tek DPPSH dhe DVP me kapsolla, punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë të planizuar me shërbim.

 

Sipas policisë së Tiranës nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta kanë mbetur të plagosur 3 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën e parë pranë spitalit të Traumës dhe QSUT.

 

Gjithahstu nga përdorimi i fishekzjarreve, kapsollave e sendeve të tjera të forta tek institucionet kryesore janë konstatuar  dëme të konsiderueshme materiale.

 

Si pasojë e dhunës së ushtruar në protestën e së hënës, në bazë të pamjeve filmike, janë arrestuar në flagrancë 7 persona, për kryerjen e veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive.

 

Janë proceduar gjithashtu në gjendje të lirë edhe 15 persona të tjerë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *