Me dhjetëra hektarë tokë të shkrumbuara totalisht nga flakët, qindra rrënjë ullinj të djegur dhe banesa të shkrumbuara . Është kjo pamja mëngjesin e kësaj të shtune në Himarë, pas një nate në luftë me flakët që përfshinë kodrat pranë bypass-it dhe u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë.
Nga të dhënat e deritanishme raportohen se nga zjarri janë 6 shtëpi të konfirmuara të djegura, 3 të banuara dhe 3 të pabanuara.
Nga zjarri u rrezikuan edhe rreth 40 banesa të tjera, ndërsa flakët përfshinë edhe sipërfaqe me pemëtari.
Terreni i vështirë dhe errësira e bënë edhe më të komplikuar ndërhyrjen, ndërsa autoritetet u kërkuan banorëve dhe bizneseve pranë zonës së rrezikuar të largoheshin për të shmangur pasoja më të rënda. Gjatë gjithë natës, zjarrfikësit e Himarës, të mbështetur nga mbi 20 mjete të ardhura nga qytete të tjera, punuan për të frenuar avancimin e flakëve drejt zonave të banuara dhe njësive hoteliere.
Me zbardhjen e ditës ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, paralelisht me operacionin që vijon në terren. Forcat e angazhuara po përqendrohen tashmë në izolimin e vatrave të mbetura dhe shmangien e riaktivizimit të tyre.
Situata aktualisht paraqitet më e qetë dhe, sipas të dhënave nga terreni, nuk ka më rrezik të menjëhershëm për banesat apo njësitë hoteliere. Megjithatë, operacioni vijon deri në vënien e plotë nën kontroll të zjarrit.
Ndërkohë një helikopter i forcave të armatosura merr ujë nga deti dhe shuan flakët.
Për përballimin e situatës së zjarreve, forcat zjarrfikëse të MZSH Gjirokastër aknë shkuar në ndihmë të strukturave të Bashkisë Himarë.





