Subscribe

Edhe gjatë pushimeve të verës, nxënësit kanë marrë detyra shtëpie, të cilat nuk lidhen vetëm me të lexuarin por edhe me kujdesin ndaj miniserës që kanë ndërtuar në oborrin e shkollës.

 

HELENA

 

“Përveç specave këtu kemi mbjellë edhe domate, hudhra, qepë, misër dhe produkte të tjera. Nuk kemi një grafik të caktuar që të vijmë të kujdesemi gjatë verës por sa herë që kemi kohë të lirë vijmë, unë personalisht e vizitoj 2 herë në javë.”

 

ARTEN

 

“Mua më pëlqen shumë lënda e biologjisë dhe këtu kam mësuar në praktikë proceset që kalon bima ndërsa rritet. Kam ardhur tre herë deri tani, është diçka ndryshe. ”

 

Ky kopësht eksperimental ka nisur në kuadër të projektit “Toka në shkollë” që është shtrirë në disa qytete me qëllimin që nxënësit të kombinojnë njohuritë teorike me ato praktike.

 

ANILA BARXHO

 

DREJTORESHE, SHKOLLA “AT ZEF PLLUMI”

 

“Në bazë të një plani pune mund të realizohet në orë të veçanta dhe të konkretizohet që nga fakti i mbjelljes së pemëve të ndryshme, perimeve apo kulturave bujqësore. Nxënësit kështu kanë mundësinë që të bëjnë një orë praktike dhe ta njohin më mirë.”

 

Për prindërit, angazhimi i fëmijëve në të tilla aktivitete, ndihmon organizimin e kohës gjatë verës dhe ndërgjegjësimin e tyre mbi përfitimet që sjell toka.

 

 “Fëmijët të paktën largohen disi nga rutina, telefonat dhe kur kanë kohë të lirë vijnë kujdesen për kopshtin eksperimental, edhe në si prindër mund të vijmë mbasditeve që të shikojmë prodhimet. I shërben jo vetëm fëmijëve por edhe komunitetit.”

 

Në shkollën 9 vjeçare  “At Zef Pllumi”, nxënësit kanë kontribuuar edhe financiarisht për të ngritur këtë strukturë minisere, e cila është në hapat e parë të saj por gjatë vitit arsimor që lamë pas, i ka shërbyer thuajse të gjitha klasave për të kryer në praktikë orë të caktuara mësimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *