Sindikata e Naftëtarëve të Pavarur reagoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për grevën e urisë së naftëtarëve. Në “Facebook”, Sindikata tha se Rama reagoi thjesht sa për të larë gojën sepse nuk mori asnjë përgjegjësi për situatën.

 

“Për herë të parë sot – pas protestave të vazhdueshme në ndërmarrjen e rafinerisë së Ballshit, pas protestave në bashkinë e Fierit, pas protestës së naftëtarëve në Tiranë që u shtyp me dhunë nga policia, dhe pas një greve urie 9-ditore që po rrezikon jetët tona – Edi Rama denjoi të flasë për naftëtarët. Edhe këtë herë që denjoi të flasë, e bëri vetëm për të larë gojën duke thënë se kjo është marrëdhënie mes punëtorëve dhe kompanisë private dhe se fajin për kushtet ku ndodhen punëtorët e ka qeveria e shkuar që ndërmori privatizimin e rafinerisë.E megjithëse privatizimi i rafinerisë ishte me të vërtetë shkatërrimtar – ashtu siç ka rezultuar çdo privatizim i aseteve publike deri më sot – Edi Rama nuk flet për përgjegjësinë që ka si drejtues i shtetit shqiptar. Nuk flet për faktin se sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës është cilësuar si sektor strategjik i rëndësisë së veçantë kombëtare, e prandaj përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm atij që e ka privatizuar.”

 

Sipas Sindikatës së Naftëtarëve, greva e urisë do të vijojë deri në fund, derisa të vihet e drejta në vend.

 

Këtë të martë, kreu i qeverisë deklaroi se qeveria ka bërë përpjekje për të ndërmjetësuar, por pa rezultat. Ai u shpreh se rafineria e Ballshit është privatizuar në mënyrë kriminale dhe se i vjen keq për situatën e krijuar me punonjësit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *