Për herë të parë këtë vit, mijëra shqiptarë patën detyrimin të deklaronin të ardhurat e tyre nëpërmjet formularit të të ardhurave vjetore. Afati i fundit ligjor ishte muaji mars.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të këtij afati, numri i deklaratave të dorëzuara arriti në 124 mijë.
Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” me moderator Aleksandër Furxhi, tha se rezulton se rreth 25-30% e qytetarëve kanë përmbushur detyrimin ligjor.
Gjokutaj tregoi se kur ndodh zbritja tatimore, duke shtuar se për katërmujorin e vitit 2025 janë deklaruar mbi 4.500 automjete që kalojnë vlerën mbi 30.000 €, gjë që, sipas ekspertit, tregon se duhet të ishte ndezur edhe për këta sinjali i alarmit për të bërë të njëjtën krahasueshmëri.
Eksperti Eduart Gjokutaj deklaroi se personat që fitojnë të ardhura online, influencerët, janë një kategori që duhet të tatohen.
Intervista e plotë:
Cili është koncepti bazë i deklarimit të të ardhurave personale? Përse, cila është arsyeja e ekzistencës së këtij instrumenti fiskal?
Gjokutaj: Deklarata e të ardhurave individuale është një deklaratë që përmbledh gjithë të ardhurat e atyre që tejkalojnë mbi 1.2 milion lekë të reja në vit. Natyrisht këtu përfshihen edhe ata që nuk i kalojnë këto të ardhura, por janë të dypunësuar. Në ndryshimet ligjore përfshihen edhe ata që kanë të ardhura nga qeraja, edhe pse mund të mos e kenë kaluar këtë kufi të xhiros. Në vlerësimin tonë, ajo që do të ishte kontingjenti i qytetarëve sipas regjistrave aktiv për të deklaruar do të ishte shumë më tepër se kaq, pra na rezulton se rreth 25-30% në fakt kanë deklaruar.
Kufiri në fakt, pragu i deklarimit u ul për herë të parë nga 2 milion në 1.2 milion lekë, gjë që ka sjellë që dukshëm është rritur numri i individëve që deklarojnë. Përse mendoni ju, që është ulur ky prag?
Gjokutaj: Pragu është ulur për të deklaruar për vitin tjetër. Nuk është kontingjenti i këtij viti. Domethënë deklaratat që janë bërë këtë vit i përkasin vitit 2024 dhe natyrisht janë me ato norma që unë përmenda pak më përpara. Ndërkohë, për vitin 2025 të gjithë qytetarët duhet të kenë parasysh të mbajnë gjithë dokumentacionet për shkak edhe të atyre çfarë lejon ligji për të zbritur që të plotësojnë këtë kriter. Pra të ardhurat në vetvete duhet të jenë sinkron i atyre çfarë vijnë nga pagat, i atyre çfarë vijnë nga burime të tjera dhe natyrisht kufiri 1.2 milion vlen për deklaratat që do të bëhen në vitin 2026, por që realizohen si të ardhura në vitin 2025 dhe parasysh duhet të mbahen të gjithë që sa më formal të jenë natyrisht do të kenë atë lloj përfitueshmërie në zbardhjen e shpenzimeve të tyre, pasi gjithë synimi nuk është thjesht ajo çfarë lidhet me të ardhmen, por është kontrolli i mënyrës së jetesës, pra shpenzimeve që kanë një hendek të madh me atë çfarë ata kanë të ardhur si qytetarë.
Sipas ligjit dhe asaj që ndodh realisht në praktikë, çfarë ndodh nëse dikush që duhet të deklarojë të ardhurat nuk i deklaron?
Gjokutaj: Po natyrisht që llogaritet ai tatim që është sipas tipit të të ardhurave, pra të ardhurat që mund të vijnë nga paga në fakt deklarohen, por ato që nuk deklarohen realisht llogaritet ajo diferencë sipas shkallëzimeve të tatimit dhe ato të ardhura të tjera që nuk janë të ardhura nga paga, por janë të ardhura nga kapitali si të ardhura nga qiratë, të ardhura nga interesa bankare, nga tjetërsimi i titullit të pronësisë apo shitje e pronës. Të ardhurat që emigrantët realizojnë në Shqipëri dhe gjithë ata çfarë realizojnë të ardhura nga burime të tjera si drejt autori, të ardhura nga patenta, pra të gjithë të ardhurat që vijnë në forma të ndryshme. Natyrisht që në qoftë se nuk deklarohen, u llogaritet tatimi këtyre që janë përmendur nga kapitali 15%, përveç të ardhurave nga dividendi që është 8%, dhe ato çfarë janë nga punësimi me ato pragje që thamë 13 dhe 23%.
Dhe në qoftë se në ligjin përkatës në fakt parashikohet të ketë edhe zbritje tatimore. Mund të tregoni një shembull të thjeshtë dhe të shkurtër. Pse dhe kur zbatohet një zbritje tatimore?
Gjokutaj: Po, ajo zbatohet në kushtet kur përzgjidhet deklarimi familjar përgjithësisht dhe ajo që merr përsipër të deklarojë edhe për fëmijët, ato zbritje që lidhen me edukimin dhe me shëndetësinë në kufij të caktuar të përcaktuar nga ligji, natyrisht që janë pjesa që i zbriten asaj që quhet e ardhura e tatueshme dhe mbi këtë diferencë pastaj llogaritet ai tatim që mund të rezultojë. Por përgjithësisht shumica e të ardhurave që rezultojnë nga ata që deklarojnë janë të ardhura nga puna dhe shumë më pak janë të ardhura nga kapitali dhe pikërisht duhet synuar zgjerimi i atyre që nuk kanë deklaruar të ardhura nga kapitali. Sidomos ka një normë tolerance sociale për sa i përket të ardhurave nga qiratë, të cilat janë me një boshllëk shumë të madh në atë çfarë duhet të deklarojnë, dhe të ardhura të tjera që vijnë nga burime dytësore, që janë si kontribute të pronësisë intelektuale apo të ardhura nga lojëra të fatit e të tjera të tjera.
Zoti Gjokutaj, ka rënë në sy se organet tatimore janë vënë po gjurmojnë disa individë, 400 individë të cilët zotërojnë automjete luksoze dhe është gjetur që ata as nuk kanë deklaruar të ardhura 1.2 apo 2 milion lekë në vit. Çfarë mendoni se do të sjellë kjo “gjueti”?
Gjokutaj: Është diçka simbolike në krahasim me atë çfarë tatimet duhet të kishin bërë me kohë për të bërë krahasueshmërinë, pasi legjislacioni nuk është se ka ndryshuar. I njëjti legjislacion tashmë po aktivizohet për këtë kategori dhe ballafaqimi që duhet të kishin bërë nëpërmjet mekanizmave të riskut për individë që dukshëm kanë këtë lloj qasje, flasim për ata që kanë importuar makina luksi të tilla që kalojnë në vlerën e disa dhjetëra mijë dollarëve apo eurove sipas vendit të importit. Por unë do përmendja një fakt ku deklarohet se për katërmujorin e vitit që jemi, 2025, janë deklaruar mbi 4.500 automjete që e kalojnë vlerën mbi 30.000 €, gjë që tregon që duhet të ishte ndezur dhe për këta sinjali i alarmit për të bërë të njëjtën krahasueshmëri. Pra nuk mjaftojnë 400. Është një përzgjedhje më shumë për të treguar se po bëhet diçka, kur në fakt duhet të ishin bërë në formë sistematike duke përdorur ato instrumente që përdorin gjithë administratat e zhvilluara me qëllim që sot të kishim një normalitet ku të përfitonin të njëjtën barazi tatimore edhe ata që nuk kanë deklaruar. Dhe me këtë rast, unë i bëj thirrje, është edhe një kategori shumë e madhe e individëve që nuk ka lidhje me automjetet, janë ata që përfitojnë në mënyrë direkte nga ato të ardhura online, influencera e të tjerë, që është një kategori që ligji njeh që duhet të tatohen. Ndërkohë, administrata dukshëm nuk ka ende instrumente të tilla që të bëjë bashkë të gjitha.
/vizionplus.tv





