Bushati: Mbrojtësit e Veliajt brenda mazhorancës fajësojnë dhe godasin drejtorin e burgjeve

“Pse i ndërruan burgun Erion Veliajt?” Është tema e kësaj të enjte në studion e “Të paekspozuarit” në Vizion Plus.
I ftuari analisti Andi Bushati vuri në pikëpyetje mënyrën se si po trajtohet çështja e kryebashkiakut të Tiranës.
Sipas Bushatit, nëse Veliaj do të fliste për personat që e kanë urdhëruar të firmosë për inceneratorët, mund të përballej me pasoja edhe më të rënda.
Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e SPAK-ut, ndërsa ngriti dyshime për personat që, sipas tij, kanë ndikuar në vendimmarrjen për Veliajn.
“Se do të vinte një ditë në shtetin e Edi Ramës që do të mbronim të drejtat e Erion Veliajt, është fundi i botës. Imagjino, Veliaj thotë ca gjëra pa vlerë, thotë ndonjë gjë për reformën terrritoriale, flet për rrëzimin e Vuçiçit, e shih ça bëhet. Imagjino të thoshte se kush e ka urdhëruar të firmosë për inceneratorin. Do të gjendej i vrarë në burg.
Ana qesharake është që këta mbrojtësit e Veliajt brenda mazhorancës fajësojnë dhe godasin drejtorin e burgjeve. Është si të flasësh për PD-në, por të mos godasësh Berishën, por rojën e selisë. Pra, ata kujtojnë se ajo vajza me orë Rolex dhe vathë Chanel paska vendosur se ku ikën Veliaj. Se tregojnë se kush e ka urdhëruar.
Trimëria e SPAK-ut që ka goditur Erion Veliajn, që ne kemi fol gjithë këto kohë, paska qenë e goditur me fishkëllimë”, tha Bushati.
/vizionplus.tv




