A ka lidhje transferimi i Agasit në Fier me Erion Veliajn? Lala: Jo! Për shkak të akuzave duhet të ishte transferuar më herët

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të Ylli Rakipit, ka folur për transferimin e Erion Veliajt dhe Ergys Agasit drejt burgut të Fierit.
Lala tha se transferimet e të dyve nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, ndryshe nga sa hamendësohet në media.
Sipas saj, për shkak të akuzave që rëndojnë mbi Agasin, ai duhej të ishte transferuar më herët në një burg të sigurisë së lartë.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse u transferua edhe Agasi në Fier?
Lala: Edhe Agasi ka kërkuar të ketë aktin e transferimit. Nuk kemi një reagim. Di të them që, për shkak të veprave penale për të cilat rrezikon një dënim shumë të rëndë, ai duhej të ishte vendosur në një paraburgim të sigurisë së lartë, pasi ka një sërë akuzash. Duke pasur akuza të rënda dhe fuqi financiare, që në krye të herës duhej të ishte në një tjetër paraburgim.
Kemi një Agas që për pesë orë u zhduk në ambientet e një tregu ushqimor në Elbasan. Drejtoria e Burgjeve e dërgon në Bradashesh, ku dihet se ai kontrollohet nga bandat. Një nga organizatat më të mëdha, ajo e vëllezërve Çopja, ka arritur të kryejë goditje brenda burgut të Bradasheshit.
Rakipi: Ti thua që janë transferuar për këtë arsye dhe jo për të kompensuar Veliajn?
Lala: Për mua, jo.




