Sekretari amerikan i shtetit në largim, Antony Blinken ka mbërritur në Lindjen e Mesme për diskutime mbi Sirinë pas përmbysjes së regjimit të Bashar Al Assad.
Ndalesën e parë Blinken e bëri në Jordani ku u takua me mbretin Abdullah, ndërsa më vonë do të shkojë edhe në Turqi.
Blinken do të diskutojë prioritetet e SHBA-së për të siguruar që rezervat e armëve kimike të Sirisë të sigurohen dhe të shkatërrohen, të lehtësojë futjen e ndihmave humanitare dhe që vendi të mos përdoret si bazë terrorizmi.
Me herët gjatë javës sekretari amerikan parashtroi shpresat e Uashingtonit për tranzicionin politik të Sirisë, duke thënë se do të njihte një qeveri të ardhshme siriane që përbën një organ qeverisës të besueshëm, gjithëpërfshirës dhe jo sektar. Grupi rebel Hayat Tahrir al-Sham, të cilin Shtetet e Bashkuara e quajnë organizatë terroriste, po luan një rol kyç në Damask pas rrëzimit të Asadit.
Pas emërimit të kryeministrit teknik, grupi është zhvendosur nga Idlibi në Damask duke forcuar pozicionin e tij.
Udhëheqësi, Abu Muhamed Al jolani ka fituar mbështetje të gjerë pavarësisht lidhjeve të kaluara, për shkak se ka siguruar se do të mbështesë të gjitha pakicat në vend dhe do të mbrojë besimin e tyre.
Kryeministri teknik Bashir ka premtuar gjithashtu se do të fokusohet te stabiliteti dhe do të qëndrojë në pushtet deri në mars megjithatë detajet kryesore të procesit të tranzicionit nuk janë përcaktuar ende./vizionplus.tv





