Është goditur një rast kontrabande i mallrave të ndryshëm në pikën kufitare të Kakavijës.

Policia ka sekuestruar  bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, veshje dhe produkte të ndryshme kozmetike, pjesë këmbimi për automjete, llamba elektrike me fuqi të lartë dhe bidona me lëndë pesticide, që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura.

Në pranga ka rënë drejtuesi i furgonit ku u gjetën mallrat e padeklaruara ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

“Në bazë të analizës së riskut, në hyrje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti tip furgon me të cilin udhëtonte shtetasi E. F”, njofton policia.

Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhjetëra bizhuteri floriri dhe argjendi, qindra veshje dhe produkte të ndryshme kozmetike, pjesë këmbimi për automjete, 6 llamba me fuqi të lartë dhe 10 bidona me lëndë pesticide, të cilat dyshohet se përdoren për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi E. F., 38 vjeç banues në Vlorë, si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi R. L., 33 vjeç, banues në Vlorë.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *