Bashkimi Evropian u ka vendosur ultimatum kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin në Bruksel, pa asnjë kusht.

 

Nëse palët refuzojnë pjesëmarrjen në takim, unioni bëri të ditur se do të ketë pasoja të rënda.

 

Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se Borrel ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel për të gjetur zgjidhje për daljen nga kriza dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut.

 

“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”.

 

Stano theksoi se takimi është i rëndësishëm për të ulur tensionet e krijuara në 4 komunat me shumicë serbe.

 

“Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëshmojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”

 

Stano theksoi se deri më tani nuk është parë asnjë hap konkret nga secila palë për shtensionimin e situatës, përveç deklaratave të Vuçiç dhe Kurtit, të cilat sipas tij janë jokonstruktive.

Por duket se kryeministri Kurti është i pavendosur në lidhje me takimin. Ai sqaroi se si fillim do të presë vizitën e Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, në burgun e Kralevës, aty ku po mbahen tre policët e rrëmbyer nga serbët.

 

“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita e Jasharit është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi.”

 

Shefi i ekzekutivit ka nënvizuar se ka kërkuar që numri i pjesëtarëve të policisë së Kosovës të reduktohet në komunat me shumicë serbe.

 

Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”.

 

Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë menjëherë tre policët, të cilët u arrestuan në veri të Kosovës nga serbët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *