Lideri i opozitës Lulzim Basha ka bërë përgjegjës qeverinë Rama, për situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi. Në një konferencë për shtyp, kryetari i demokratëve ka renditur një sërë shifrash që sipas tij tregojnë se vendi po zhytet në një krizë të thellë ekonomike; duke nisur nga 60 mijë vende pune të humbura në dy muaj, tek ndihma që qeveria ka dhënë për qytetarët e biznesin e që kap vlerën e 41.5 milionë eurove.

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

Kaq është shuma totale që Edi Rama ka dhënë për 3 milionë shqiptarë ku janë qindra mijëra të papunë, qindra mijëra që kanë humbur vendet e punës dhe bizneset në një stres të jashtëzakonshëm. Me TVSH ka dhënë më shumë për 2 km unazë oligarkëve tek Unaza e Re, të gjithë e dini. Me TVSH shuma qe iu dedikua atij projekti korruptiv eshte me e madhe sesa shuma që ka ndarë dhe ka dhënë për shqiptarët në këto 8 javë të varfërimit dhe torturës ekonomike dhe bukës se gojës për qindra- mijëra familje dhe të stresit dhe pasigurisë për qindra e mijëra biznese.

Sipas Bashës situata e pandemisë ka treguar qartë se kjo mazhorancë ka vetëm një prioritet

5 veta kanë të drejtë të marrin punë, 5 veta kanë të drejtë të marrin frymë ekonomisht në Shqipërinë e Edi Ramës, 5 oligarkë, të cilët mbushin xhepat e Edi Ramës dhe pushtetarëve me afera të qarta korruptive, siç janë koncensionet dhe PPP-të. E vetmja gjë e re e Edi Ramës janë koncensionet dhe PPP-të, asnjë financim për ekonominë.

Për të treguar kontrastin që ekziston mes vendimeve të qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe vendimeve që i shërbejnë njerëzve pranë saj, lideri i opozitës Basha ka shfrytëzuar edhe vendimin për teatrin kombëtar

Kur vjen puna për të mbështetur njerëzit që ndodhen para kësaj krize të thellë, zgjaten e stërzgjaten për të dhënë ndihmë me pikatore. Kur vjen puna për të grabitur brenda ditës, brenda natës bëhet vendimi dhe publikohet në fletoren zyrtare.

Basha ka denoncuar edhe tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë, duke i kërkuar prokurorisë së posaçme të zbardhë të vërtetën.

Tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë, ka rënë zjarri e dëgjuat në katin e 4 të Ministrisë së Shëndetësisë, për të fshehur tenderat, ky është një test për Spakun.

Lideri i opozitës ka theksuar se në këtë situatë opozita do të mbështesë çdo protestë të qytetarëve e do të organizojë edhe vete nëse është e nevojshme

Nuk e meriton emrin qeveri, është një regjim që në grahmat e fundit e ka të skalitur në valixhet që po bëhen gati t’i marrin në ikje, kap çfarë të kapesh. Kjo është qeveria kap çfarë të kapesh para se të ikë. Ne do jemi në krah të qytetarëve e do i thërrasim për protestë nëse është nevoje

Ndërkaq në ditën e Europës Basha ka zhvilluar një bisedë me ambasadorin e BE Luigi Soreca, të cilin e ka falenderuar për ndihmën që BE ka dhënë në betejën kundër koronavirusit si dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *