Erudit të letrave shqipe e quajti Lulzim Basha shkrimtarin e njohur Moikom Zeqo që u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare.
Në mesazhin ngushëllues që përcolli, kryedemokrati tha se ai do të kujtohet ndër breza për veprat e tij.
“Moikom Zeqo, eruditi i letrave shqipe u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas një vepër të lexuar dhe të vlerësuar nga shqiptarët anekënd botës. Me seriozitetin, pasionin për shkencën dhe kulturën, autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, mbi historinë e artit, si dhe skenarëve për filma, do të mbahet mend ndër breza si një nga personalitetet e spikatura të kulturës sonë kombëtare. Angazhimi i tij në politikë si deputet i PS ishte dhe mbetet modeli i politikanit aktiv dhe serioz për përfaqësimin e qytetarëve.”
Mesazhe ngushëllimi për Moikom Zeqon pati edhe nga presidenti Ilir Meta dhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi.





