Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me drejtuesit e Shoqatës Shqiptare të Turizmit, ku përfaqësohen rreth 93 mijë të punësuar në këtë sektor të goditur rëndë nga pandemia.

Enver Mehmeti, Presidenti i shoqatës, Zak Topuzi, Kryetar i Sektorit të Hoteleve dhe Sokol Hoxha, Kryetar i Sektorit te Agjensive Turistike, shprehën shqetësimin për mungesën e mbështetjes nga qeveria për sektorin e turizmit.

“Standardet e reja që po vendosen nga qeveria kanë një kosto shtesë të konsiderueshme, për të cilat nuk është dhënë asnjë ndihmë financiare”, theksuan përfaqësuesit e shoqatës së turizmit.

Ata vunë në dukje se mungesa e një plani nga qeveria për kohën e hapjes së sezonit e vështirëson akoma më shumë gjendjen.

“Gjetja e një formule mbijetese është ajo çfarë vlen më shumë tani për turizmin”, thanë përfaqësuesit e shoqatës, duke vënë në dukje se ky sektor u godit 2 herë brenda pak muajve, fillimisht nga tërmeti në nëntor dhe tani nga pandemia, kur janë anulluar të gjitha prenotimet.

Për kreun e opozitës Lulzim Basha të gjitha kërkesat e përfaqësuesve të turizmit janë të drejta dhe duhen  të zbatohen sa më parë nga qeveria. Basha i siguroi punonjësit e sektorit të turizmit dhe përfaqësuesit e tyre se do të bëjë çmos që zëri i tyre të dëgjohet, me qëllim mbështetjen e turizmit, si një ndër sektorët më të rëndësishëm  të ekonomisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *