Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka pranuar se nga amnistia penale kanë përfituar 20 qytetarë të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

I thirrur në interpelancë nga demokratët e drejtuar nga Lulzim Basha, ministri Manja lexoi emrat e atyre që janë liruar për të bindur çdo skeptik se asnjë zyrtar i lartë nuk ka përfituar nga amnistia.

“Konkretisht 10 të tjerë nga 18 kanë përfituar nga ulja e dënimit por kanë qenë të dënuar për veprat penale dhënie ndihëm për kalim të paligjshëm kufiri, falsifikim dokumentesh, vetëm 8 kanë qenë për një nga këto veprat të shkelje të barazisë në tendera dhe ushtrim të ndikimit paligjshëm“, tha Manja.

Por kreu i PD Lulzim Basha e shfrytëzoi këtë sqarim për të theksuar se kishte të drejtë kur e denoncoi amnistinë si akt që fal ata që janë dënuar nga gjykatat e posaçme për korrupsion.

“Pse i gënjeve shqiptarët kur amnistove të korruptuarit dhe vazhdon të mbash me ndjekje penal e prindërit e fëmijëve që u lëshove gaz për ti nxjerrë nga shtëpitë e tyre dhe protestues. Përgjigja është e thjeshtë se ti dhe shefi jot jeni nona e korrupsionit”, tha Basha.

Ministri i Drejtësisë dhe Basha replikuan edhe për një prej çështjeve të bujshme që ka mbetur pa u zbardhur plotësisht, si vrasja e 4 protestuesve në 21 janarin e 2011.

“Që është dallimi mes meje që me bien flokët ty që të shtohen thinjat. Është një çështje që e ka thënë Strasburgu që është krim shtetëror. Moralisht të jesh ish-ministër i Brendshëm të vriten 4 qytetarë të pafajshëm dhe mos të ndjesh detyrim moral të vihet në dispozicion të drejtësisë së re, ku është moral për SPAK”, tha Manja.

“S’ta kanë borxh shqiptarët që merresh me leshtë e mi. Të ngelen leshtë e mi në gojë, ti merru me të vërteta. Ke 11 vjet në qeveri, çoje në Prokurori, ti gënjen unë kam kërkuar heqjen e imunitetit këtu. Ju jeni mashtrues tjetër gjë thoni e bëni. 21 janari, a nuk i bëtë kryetar bashkish pushkatarët e 21 janarit, a se vutë ju në front sebepin e 21 janarit“, tha Basha.

Një muaj më parë socialistët dhe demokratët e drejtuar nga Sali Berisha bashkuan votat për të votuar amnistinë penale. Lulzim Basha dhe 8 prej deputetëve që e njohin si kryetar të PD nuk morën pjesë në votimin e amnistisë, ndërkohë që i vetmi që votoi kundër ishte Agron Shehaj.

Prej momentit të miratimi ka pasur disa hije dyshimi mbi qëllimet e këtij akti për shkak se në këtë akt u përfshi edhe falja e atyre qytetarëve që janë hetuar nga SPAK e janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykatat e Posaçme./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *