Kryetari i PD, Lulzim Basha është i shqetësuar për raportin e Dhomës Amerikane të Tregtisë për klimën e biznesit në Shqipëri.

Basha u shpreh me anë të një reagimi në rrjetet sociale se ky raport tregon qartë sesi korrupsioni po dëmton ekonominë shqiptare.

Fajin për këtë, kryedemokrati e gjen midis të tjerash tek taksat e larta dhe konkurrenca e padrejtë.

“Me shqetësim mësova përfundimet e raportit të Indeksit të besimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë AMCHAM për vitin 2019, ku regjistrohet rënia më e madhe e ekonomisë në 8 vitet e fundit. Raporti është një pasqyrë e situatës ekonomike dhe e korrupsionit që po gërryen ekonominë, po largon investitorët, po mbyll vende pune e varfëron shqiptarët. Konkurrenca e padrejtë, performanca zhgënjyese e ekonomisë, klima e përgjithshme e keqe për biznesin, niveli i lartë i korrupsionit, ekonomia joformale, burokracia, niveli i lartë i taksave dhe vetë qeveria me politikat e saj klienteliste janë pengesat më të mëdha për të bërë biznes në Shqipëri.”

Edhe në këtë reagim të Lulzim Bashës nuk munguan premtimet për ditën kur PD të marrë pushtetin.

“Bazuar mbi këto nevoja ne kemi hartuar një platformë ekonomike në të cilën parashikohet: Taksa e sheshtë 9%, eleminimi dhe thjeshtëzimi i lejeve dhe licencave, eliminimi dhe bashkimi i 18 taksave për të rimoduluar sistemin tonë fiskal. Njëkohësisht plani ynë parasheh dhe ristrukturimin e agjencive dhe institucioneve doganore, fiskale dhe të regjistrimeve. Më thjeshtë dhe më lehtë për të gjithë. Për mua dhe PD punësimi dhe zhvillimi ekonomik janë prioritetet kryesore dhe për ta arritur këtë ne do ta bëjmë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja, do të fuqizojmë biznesin vendas dhe do të reduktojmë hapësirat për abuzim dhe korrupsion që sot po i marrin frymën biznesit në Shqipëri.”

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikoi anketimin e përvitshmëm, ku tregusi i klimës ekonomike arriti në 38 pikë nga 100 të mundshme, me një rënie prej 5 pikësh nga ideksi i mëparashëm.

Në raport me një vit më parë, 23 tregues janë në përkeqësim dhe vetëm 4 kanë shënuar përmirësim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *