Greqia po punon intensivisht për të siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon.

 

Ky ishte mesazhi që dha ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, pas vizitës në Prishtinë. Shefi i diplomacisë greke nënvizoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian duhet të mbetet prioritet.

 

NKOS DENDIAS
MINISTER I JASHTEM, GREQI
“Kam pasur një vizitë shumë interesante në Prishtinë. Çështjet që diskutuam lidhen me bashkëpunimin e dy vendeve në shumë fusha, kryesisht në sektorin e energjisë. Po ashtu në fokus ishte edhe e ardhmja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se për qeverinë greke, fokusi kryesor është gjithmonë paqja, stabiliteti dhe integrimi europian dhe ne po ecim në këtë drejtim.”

 

Dendias u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti.

 

Osmani ka kërkuar mbështetjen e Athinës zyrtare për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe për Partneritetin për Paqe me NATO. Presidentja po ashtu ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit, me shpresën që së shpejti Greqia të formalizojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter ka theksuar se marrëdhëniet Prishtinë-Athinë po bëhen më të forta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *