Studentët në Korçë nuk i bashkohen bojkotit, vijon mësimi normalisht në Universitetin “Fan S. Noli”: Dënojmë dhunën, por edhe veprimet e policëve

Procesi mësimor në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë ka vijuar normalisht mëngjesin e sotëm, pavarësisht njoftimit të një dite më parë nga Këshilli Studentor për bojkotimin e auditoreve.
Ndryshe nga situata në Tiranë, ku studentët janë përfshirë në protesta dhe kanë bërë thirrje për bojkot të mësimit, në Korçë studentët janë paraqitur në auditore, duke vijuar procesin mësimor sipas programit.
Studentët e pyetur shprehen kundër bojkotit dhe dënojnë aktet e dhunës, djegien dhe dëmtimin e ambienteve gjatë protestave. Megjithatë, ata theksojnë se edhe veprimet e policisë ndaj protestuesve duhen vlerësuar me kujdes.
Një prej studentëve shprehet se është kundër dëmtimit të ambienteve, por edhe kundër dhunës së ushtruar ndaj studentëve. Ndërsa një tjetër thotë se nuk ka informacion të plotë për ngjarjet e fundit dhe pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale.
“Në një anë kanë të drejtë njerëzit për atë që bëjnë, kurse në anën tjetër nuk është e lejueshme që të vendosin zjarrin apo të thyejnë xhamat. Jam kundër dhunës. Por as veprimet e policëve nuk janë të drejta. Nuk është e drejtë që një polic të godasë një fëmijë 18 vjeç. Unë sot jam për të vazhduar mësimin”, thotë një student.
“Pashë njoftimet që kishin hedhur në Instagram. Pashë dy video, një djalë që i kishin thyer këmbën dhe atë që e godisnin policët. Këto kam parë, s’kam parë tjetër”, thotë një student tjetër.
Në Universitetin e Korçës, të paktën këtë mëngjes, thirrjet për bojkot nuk kanë ndërprerë zhvillimin e mësimit. Studentët kanë zgjedhur të vijojnë frekuentimin e auditorëve diten e sotme.




